Neymar pas lëndimit: Momenti më i keq i jetës time, kam nevojë për mbështetje – ia lë në dorë Zotit

Prishtinë | 19 Tet 2023 | 15:02 | Nga Ekonomia Online

Neymar ka reaguar pas lëndimit të tmerrshëm që e pësoi me kombëtaren e Brazilit ndaj Uruguajit.

Ylli brazilian Neymar është vendosur për një kohë të gjatë jashtë fushës pasi testet konfirmuan se ai pësoi një çarje të ligamentit të kryqëzuar të përparmë dhe meniskut në gjurin e majtë gjatë humbjes së vendit të tij në kualifikueset e Kupës së Botës ndaj Uruguait të martën, njoftoi të mërkurën konfederata e futbollit të Brazilit (CBF).

31-vjeçari do t’i nënshtrohet një operacioni në një datë që do të konfirmohet. Sipas ESPN, stafi mjekësor i CBF mendon se Neymar mund të luajë sërish pas tetë muajsh dhe të kthehet në kohë për Kupën e Amerikës, e cila do të konkurrohet në Shtetet e Bashkuara verën e ardhshme.

Më vonë të mërkurën, Neymar tha në një mesazh në Instagram se ndihet “i fortë”, por ai do të ketë nevojë për shumë mbështetje për t’u rikthyer nga një tjetër dëmtim.

“Është momenti shumë i trishtuar, më i keqi i jetës sime. E di që jam i fortë… por këtë herë kam nevojë për mbështetjen e familjes dhe miqve të mi. Nuk është e lehtë të lëndohesh, të bësh një operacion dhe më pas… ta bësh sërish vetëm katër muaj më vonë. Unë kam besim, e lë në dorën e Zotit”, ka shkruar Neymar.

Neymar u pengua dhe u rrëzua gjatë një vrapimi në minutën e 44-të të humbjes 2-0 të Brazilit në stadiumin Centenario dhe u rrethua menjëherë nga lojtarët e të dy skuadrave teksa mbante gjurin e majtë.

Ish-sulmuesi i Barcelonës dhe Paris Saint-Germain u transportua me barelë teksa mbante duart në fytyrë, ndërsa shoku i skuadrës Richarlison e zëvendësoi.

Neymar, i cili është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave të Brazilit me 79 gola në 129 paraqitje, së fundmi u rikuperua nga një dëmtim i rëndë në kyçin e këmbës së djathtë.

Të ngjashme