Tarifat e reja roaming të Shqipërisë me Kosovën do të ulen nga muaji qershor i këtij viti, ndërsa heqja e tyre do të ndodhë dy vjet më vonë. Këshilli Drejtues i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) në Shqipëri, ka miratuar masat e propozuara në muajin mars, së bashku me vendimet përkatëse për rregullimin e tarifave roaming për të tre operatorët e telefonisë celulare në Shqipëri.
Kryetari i AKEP-it, Ilir Zela, ka shpjeguar se të dyja autoritetet që merren me rregullimin e tarifave celulare si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë kanë vendosur që nga 15 qershori i këtij viti të nisë ulja e çmimeve të telefonatave dhe shërbimeve të tjera celulare mes dy shteteve.
Nga data 15 qershor tarifa tavan, që përdoruesit nga Shqipëria do të paguajnë për roaming-un në Kosovë, do të jetë 28.5 lekë për minutë thirrje dalëse, 6 lekë për minutë për thirrje hyrëse, 9 lekë për mesazh të shkruar dhe 26.4 lekë për megabyte internet. Të njëjtat tarifa do të aplikohen në mënyrë të anasjelltë për përdoruesit nga Kosova në Shqipëri, shkruan sot Koha Ditore.
Ndërsa, duke filluar nga 1 korriku i vitit 2021, parashikohet që të gjitha tarifat roaming mes dy vendeve të eliminohen plotësisht dhe përdoruesit e telefonisë celulare në Shqipëri dhe Kosovë do të paguajnë në roaming tarifa të njëjta me ato që paguajnë brenda vendit.