Që nga viti 2004, afër 80 për qind të komunave në Kosovë, përballen me mungesë të ujitjes si shkak i ndryshimeve klimatike. Kështu u tha se lansimin e kampanjës “Ndrysho për Klimën”, organizuar nga USAID dhe programit për grante, që ka për qëllim të forcimit të përpjekjeve për përshtatje dhe veprim ndaj ndikimeve që po sjellin ndryshimet klimatike, raporton Ekonomia Online.
Në këtë tryezë u tha se si shkak i ndryshimeve klimatike, deri në vitin 2050, 4. 2 për qind do të jetë rënia e GDP-së në Kosovë nëse nuk ndërmerren veprime.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se Kosova ndër sfidta kryesore që ka është përmbytjet dhe thatësirat.
Sipas tij, si shkak i thatësirave në Kosovë, ujiten vetëm 7 mijë hektar tokë.
“Ndryshimet klimatike ka një kohë që janë prezente përmes ndikimeve në produktivitetin bujqësor, zjarret, ndryshime në furnizim me ujë, thatësira, vërshimet, emigracion. Përmbytjet dhe thatësirat janë shfaqur si sfida kompleksë për Kosovën. Këto fatkeqësi natyrore kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme. Kosova ka përjetuar thatësira të shumta në dekadat e fundit. Që nga viti 2004 afërsisht 80 për qind e komunave të Kosovës janë përballur mungesë të ujitjes për shkak të thatësirave. Sipas masterplanit të Kosovës për ujitje, aktualisht ujiten vetëm 7 mijë hektar tokë”.
“Këshilli për Sekretariatin për ndryshime klimatike vetëm se është aktiv dhe ka aprovuar dokumente të rëndësishme sikur se është plani për energji. Mirëpo tani jemi në proces të funksionalizmit të bordit zhvillimor shkencor se bashku me USAD që prioritet kemi ofrimin e të dhënave të sakta shkencore që do të informoj politikëbërjen e Këshillit për ndryshimeve klimatike”, ka thënë ai.
Alex Albertine, ushtrues detyre i zëvendës drejtorit të Misionit të USAID-it në Kosovë, ka thënë se ndryshimet klimatike kanë ndikim në të gjithë kontinetin e po ashtu edhe në Kosovë.
“Siç e dimë këto ndikojnë në secilin kontinent të planetit, pasojat janë të mëdha dhe e dimë që rreziqet janë të mëdha për të adresuar këtë, dhe duhet bashkëpunim për të zbutur efekte e ndryshimeve klimatike. Duhet të shtrojmë rrugën jo vetëm për të adresuar sfidat por edhe për të marr masat për ndryshimet. Ky regjion është i cenueshëm ndaj ndryshimeve klimatike jo vetëm për të ndikuar në mjedis, por edhe në shëndet e ekonomi. Së bashku mund të bëjmë një Kosovë më të qëndrueshme”, ka thënë ai.
Petrit Gashi nga “USAID Kosovo Adapt Activity”, ka thënë se këto ndryshime klimatike kanë ndikim të madh edhe në ekonomi.
Ai tha se sipas raportit të Bankës Botërore, 4. 2 për qind do të jetë rënia vjetore e GDP-së së Kosovës deri në vitin 2050 nëse nuk ndërmerren veprime klimatike.
“Ajo çfarë do të shohim sot ka të bëjë më sfidat kryesore me të cila ballafaqohet Kosova. Ne në raportin tonë, fokusin e kemi pasur në identifikim e kufizimeve. Ne kemi një numër sfidash qysh sot edhe për të ardhmen temperatura ekstreme, kërcënime të mëdha nga vërshimet, era të forta në qytete që nuk i kemi hasur më herët, kemi edhe një degradim të dheut. Këto janë pjesërisht nga ndryshimet klimatike por kemi identifikuar edhe një dorë të njeriut me sfidat që ballafaqohemi në kontekst të ndotjes së ajrit e shpyllëzimit”, u shpreh ai.
“Këto çfarë parashohim në skenarë e që ne i kemi analizuar është e frikshme, disa prej indekseve që ne i kem deri në fund të këtij shekulli cilido skenar, problemet do të jenë të theksuara si ndryshimet e temperaturave mesatare, nivelit të indeksit të zjarrit, të indeksit të vërshimeve që e kemi analizuar gjitha tregojnë një të ardhmen brengosëse, nevoja për me ndërmarr diçka që është e madhe. Nëse nuk lëvizet tregojnë që efektet ekonomike do të jenë të thella. Raporti i Bankës Botërore flet për një rënie prej 4.2 për qind të GDP-së vjetore deri në vitin 2050. Kjo përkthehet në rënie të GDP edhe për kokë banori”, ka thënë ai.