Nga 49 gra vetëm shtatë prej tyre u kthyen nga Siria në Kosovë

Prishtinë | 05 Pri 2018 | 17:40 | Nga

Viti 2012 shënon daljet e para të kosovarëve në Siri, numri i të cilëve brenda pak vitesh do të arrinte në 362, prej tyre shumica burra.

Por, numri i të bashkëngjiturve në ISIS është i lartë edhe për gratë e fëmijët. Pas burrave, në Siri e Irak shkuan 49 gra e 58 fëmijë.

Mirëpo, përveç në shkuarje, burrat prijnë në numër edhe për të kthyerit në Kosovë nga vatrat e luftës. Policia i ka bërë të ditur Metros se vetëm 7 gra dhe 3 fëmijë janë kthyer nga Siria, ndërkaq burra janë kthyer 123.

“Numri i personave të kthyer në Kosovë apo edhe në vendet tjera prej nga kanë udhëtuar është 133, përfshirë këtu 123 meshkuj, 7 gra dhe 3 fëmijë”, kanë thënë nga Policia e Kosovës.

Siç vërehet në shifra e po ashtu edhe në përqindje, burrat prijnë në numër për nga bashkëngjitja, mirëpo e njëjta gjendje është edhe në kthimin e tyre.

E për fatin e grave dhe fëmijëve nuk janë dhënë shumë detaje. Mirëpo, Policia bën me dije se numrit të kosovarëve në Siri u janë shtuar edhe 40 fëmijë të lindur në zonën e konfliktit.

Kështu, sipas Policisë, në Siri aktualisht po qëndrojnë 59 burra, 41 gra, 55 fëmijë të shkuar nga Kosova dhe 40 fëmijë të lindur në Siri.

Ndryshe, numri i personave të vdekur në zonën e konfliktit është 76 persona, prej të cilëve 73 persona të gjinisë mashkullore të vrarë, ndërsa 3 persona, përfshirë këtu 1 person i gjinisë mashkullore, 1 person i gjinisë femërore dhe një fëmijë i lindur në zonën e konfliktit raportohet të kenë vdekur nga shkaqe natyrore.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme