Nga java e ardhshme shumë institucione bllokohen në OShP

Prishtinë | 25 Mar 2021 | 19:27 | Nga Ekonomia Online

Edhe dy ditët e para të javës së ardhshme ka mandate Bordi i Organit Shqyrtues të Prokurimit, konkretisht deri më datë 30 mars. Pas kësaj date asnjë ankesë që ushtrojnë kompanitë ndaj institucioneve për tender nuk mund të trajtohet.

Një pjesë e madhe e punës e institucioneve publike varët nga prokurimi. Ato udhëheqin procedura tenderuese për të kryer një pjesë të punëve të tyre. Nëse një ankesë ushtrohet në OSHP ndaj procedurës së prokurimit të udhëhequr nga institucionet publike, ai prokurim stopohet deri sa të jep një përgjigje OSHP -ja.

Viteve të fundit, thuajse çdo tender i Ministrisë së Infrastrukturës ka kaluar nëpër OSHP, ngase kompanitë kanë pasur ankesa ndaj prokurimit të ministrisë. Institucionet, puna e të cilave është e varur më shumë nga procedurat e prokurimit do të bllokohen nga java e ardhshme, shkruan lajmi.net.

Kjo ngase tre anëtarëve Bordit të OSHP-së, Blerim Dina -kryetar, Nuhi Paçarizi –anëtarë, Goran Milenkovic- anëtarë u skadon mandati më 30 mars.

Ka një kohë që Kuvendi i Kosovës ka kërkuar nga Qeveria të zhvillojë procedurat për emërimin e pesë anëtarëve të Bordit, por brishtësia që e ka përcjell qeverinë e kaluar ka bërë që procedurat të mos zhvillohen më kohë.

“Kryetari dhe anëtarët e OSHP-së propozohen nga Qeveria dhe emërohen nga Kuvendi. Kuvendi ndërmerr veprime pas pranimit të propozimeve konkrete nga Qeveria. Për më shumë, pyetjen adresojeni në Qeverinë e Kosovës”, bënë të ditur për lajmi.net nga drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës.

Zyra për marrëdhënie me publikun e kryeministrisë ka bërë të ditur për lajmi.net se për pozitën e anëtarit të Bordit kanë aplikuar 12 kandidatë. Nga kjo zyrë kanë thënë se procesin për momentin e ka stopuar që një kohë Ambasada Britanike e cila bënë monitorimin e emërimeve të Bordeve të institucioneve publike në Kosovë.

“Mund të ju njoftojmë se Zyra e Kryeministrit, duke iu referuar shkresës së Kuvendit të Republikës së Kosovës Nr.3371/3 të datës 16.12.2020, ka shpallur konkursin prej datës 12-26 janar 2021 për kryesues dhe dy anëtarë të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik/OSHP-së. Qeveria e Republikë së Kosovës me Vendimin Nr. 04/61 të datës 03.01.2021, ka emëruar komisionin përzgjedhës prej pesë anëtarëve. Komisioni Rekomandues me kërkesën e partnerit zbatues nga Ambasada e Britanisë së Madhe, të cilët e monitorojnë këtë proces, është kërkuar që deri në emërimin e Qeverisë së Re të pezullohet intervistimi i kandidatëve për OSHP”, thuhet në përgjigjen e zyrës për komunikim me publikun të kryeministrisë.

Tashmë janë dhjetëra ankesa të grumbulluara në OSHP që Bordi aktual akoma nuk ka mundur t’u jap një zgjidhje. Megjithëkëtë, në OSHP, kanë thënë se institucionet kompanitë do të mund të ushtrojnë ankesë në OSHP, por se ato do të mbesin të pa trajtuara.

“Organi Shqyrtues i Prokurimit sqaron se, OSHP punën e vet e mbështet në kompetencat e përcaktuara me LPP-në, por edhe në Rregulloren e Punës së OSHP-së, me numër te protokollit 83/2020, te datës 03.03.2020, ( te cilën rregullore e keni te publikuar në ueb faqen e OSHP-së).

OSHP do të pranojë ankesat e operatoreve ekonomik në pajtim me nenin 109,110,111 të LPP-së, si dhe nenin 13 te Rregullores së Punës me numër te protokollit 83/2020, te datës 03.03.2020. Ju sqarojmë se bordi i OSHP-së emërohet në pajtim me nenin 100 të LPP-së”, thuhet në përgjigjen e OSHP-së për lajmi.net.

Neni 100 i LPP-së që ka të bëjë me emërimin e anëtarëve të OSHP thotë se OSHP përbëhet nga pesë anëtarë që emërohen për një mandat pesë vjeçar dhe mund të riemërohen vetëm një herë. Po sipas këtij neni, anëtarët e OSHP-së të cilët ishin emëruar nën miratimin e mëhershëm do të mbajnë mandatin deri në skadimin e atij emërimi, dhe mund të ri-zgjedhën vetëm nëse ata kanë qenë të kualifikuar për ri-emërim nën ligjin aktual në kohën kur ata ishin emëruar.

“Me mbarimin e mandatit fillestar të parashikuar në paragrafin 2. të këtij neni të këtij ligji, çdo riemërim ose emërim i ri bëhet për një mandat pesë (5) vjeçar. 4. Kryetari dhe anëtarët e OSHP-së propozohen nga Qeveria dhe emërohen nga Kuvendi në bazë të rekomandimit që është marrë nga një organ përzgjedhës i pavarur i themeluar nga Kuvendi. Organi përzgjedhës i pa varur do të përbëhet prej tre gjykatësve të emëruar sipas rregullit të caktuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës”, thotë ndër tjera ky nen.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme