Fondi për të Drejtën Humanitare, Shoqata Ukrainase e Kosovës “Bridges of Friendship” dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kanë mbajtur një panel diskutimi publik mbi ndikimin e luftës tek fëmijët, me fokus në përvojat nga Kosova, Ukraina dhe Bosnje e Hercegovina, raporton Ekonomia Online.
Në këtë panel, Drejtori Ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, theksoi rëndësinë e dokumentimit të vuajtjeve të fëmijëve gjatë luftës, duke vënë në pah se perspektiva e viktimave, veçanërisht e fëmijëve, shpesh mbetet e anashkaluar.
“Zakonisht kur flasim për luftën, jemi mësuar me folë për ngjarje të mëdha historike, për procese politike, dhe për pasoja shtetërore të luftërave. Por shumë rrallë flasim për luftërat nga pikëvështrimi i viktimave, e më së paku flasim për luftërat me lencet e fëmijëve që i kanë përjetuar. Ata të cilët nuk kanë kuptuar pse janë dëbuar prej shtëpive të tyre, pse shtëpitë e tyre janë djegur, pse janë persekutuar prindërit e tyre. Edhe këtu besoj që rrjedh nevoja për me u dokumentu viktimat e luftërave, e sidomos fëmijët. Ka edhe shumë arsye të tjera. Në rend të parë, pa dokumentimin e duhur të viktimave dhe të fëmijëve si viktima të luftës, nuk mund të kërkojmë asnjë përgjegjësi penale. Pa dokumentimin e jetëve të humbura të fëmijëve apo vuajtjeve të tyre, është e vështirë që edhe organet gjyqësore të hetojnë, të ngrisin aktakuza dhe pastaj t’i procesojnë para gjykatave ata të cilët kanë kryer krime ndaj fëmijëve”, tha ai.
Blakaj tha se duhet dokumentuar e kaluar edhe të shikohet rruga e paqes për të ardhmen.
“Arsyeja tjetër shumë e rëndësishme për dokumentimin e fëmijëve është edhe e vërteta e cila duhet me u bë publike, pra krijimi i atij narracioni të saktë i cili bazohet në prova, në deklarata, në intervista. Pa këtë ne nuk mund ta krijojmë një narracion saktë ku gjeneratat e reja kanë me mësu të vërtetën mbi atë se çfarë ka ndodhur gjatë luftës në një vend. Gjithashtu është thelbi i dokumentimit, besoj edhe ne në Fondin për të Drejtën Humanitare e thonë gjithmonë, nuk është vetëm me pa prapa, pra me dokumentu të kaluarën, po përmes dokumentimit të së kaluarës të trasojmë një rrugë të paqes në të ardhmen. Ne mendojmë që dokumentimi, pra luftimi i mohimit të krimeve, mohimit të viktimave, kontribuon apo është hapi i parë drejt vendosjes së një paqeje të qëndrueshme. Përderisa ne kemi, e lejojmë mohimin e viktimave dhe të krimeve, atëherë edhe nuk mund të shpresojmë në një të ardhme paqësore, pa konflikte dhe pa shkelje të tjera masive të drejtave të njeriut”, theksoi ai.
Blakaj gjithashtu tregoi edhe arsyen e mbledhjes në atë hapësirë për diskutim.
“Ne sot gjendemi në hapësirën e Qendrës së Dokumentimit Kosovë, një hapësirë e cila ndoshta edhe nuk është e përshtatshme për me organizu debate të tilla, mirëpo e kemi bë me qëllim sepse këtu është e vendosme që nga viti 2019 ekspozita që ne e kemi quajt ‘Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë’. Shumica prej jush e keni parë, e keni vizituar edhe në të kaluarën, mirëpo ndoshta nuk është e tepërt me u përmend, ku krejt punën dokumentuese që e kemi bë ne për më shumë se 20 vite punë në terren, duke i intervistuar familjarët e fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur, të mbijetuar, duke mbledhur prova edhe nga burime të tjera, kemi vendosur, pra kjo ekspozitë është e krijuar në kujtim të 1133 fëmijëve që janë vrarë. Pra, jo që e kanë humb jetën në lidhje me luftën, po që janë vrarë me qëllim apo janë zhdukur. Për fat të keq ka edhe fëmijë të tjerë të cilët për shkak të rrethanave të luftës e kanë humbur jetën: mungesë të ushqimit, mungesë të ilaçeve e kështu me radhë. Mendojmë që është një mënyrë e mirë e përkujtimit të së kaluarës por me fakte, edhe duke tentuar me u kthy dinjitetin familjeve të viktimave dhe vetë viktimave.”
Në panel foli edhe Aminah Musić nga Organizata War Childhood Museum (Muzeu i Fëmijërisë së Luftës) me seli në Sarajevë, e cila ndau përvojën e institucionit që përfaqëson në dokumentimin e fëmijërisë së përjetuar në luftë.
“Ju kërkoj ndjesë, jam në lëvizje. Jemi të përfshirë në shumë aktivitete të ndryshme anembanë vendit tani, kështu që po bashkohem me ju nga Mostari, Bosnjë dhe Hercegovinë. Ndaj, ju kërkoj ndjesë nëse prezantimi im mund të ketë pak muzikë në sfond. Por po, ju falënderoj edhe një herë për ftesën. Siç tha Bekimi, fëmijët shpesh injorohen kur bëhet fjalë për diskutimet mbi konfliktet dhe ata janë padyshim… janë padyshim viktima të luftës, viktima të padijshme që nuk kontribuan në krijimin e saj.
Sa i përket Muzeut të Fëmijërisë së Luftës, në emër të të cilit po flas sot, ky është një institucion që i dedikohet dokumentimit, ruajtjes dhe shpërndarjes së historive personale të rritjes në luftë, me një fokus të veçantë në përvojat e fëmijëve. Siç u tha në hyrje, ne jemi me bazë në Sarajevë, Bosnjë dhe Hercegovinë, por kemi histori… ky është një projekt global tani. Ne kemi mbi 7,000 objekte nga 21 konflikte nga e gjithë bota, dhe kemi gjithashtu një zyrë në Ukrainë, të cilën shpresojmë se përfundimisht do ta kthejmë në një muze, një ekspozitë të përhershme si ajo që kemi në Sarajevë.”
Ndërkaq, Svitlana Osipchuk nga War Childhood Museum – dega në Ukrainë, foli për përvojën personale dhe kolektive të fëmijëve ukrainas që po rriten nën hijen e luftës.
“Fjalimi im sot është për fëmijërinë që lufta e detyroi të rritej para kohe. Për rrugën pa shtëpi, një vend të ri dhe një gjuhë të re, por me të njëjtin ankth në sytë e fëmijës. Për përshtatjen që nuk ndodh përmes teksteve shkollore, por përmes frikës, heshtjes, pyetjeve pa përgjigje dhe fitoreve të vogla të përditshme.
Kjo është perspektiva e një nëne mbi atë se si lufta lë gjurmë jo vetëm në trupin e fëmijës, por edhe në psikikën e tyre, në shpirtrat e tyre, dhe se si emigrimi bëhet jo një kusht, por një domosdoshmëri për mbijetesë. Luftëra të ndryshme, vite të ndryshme, por e njëjta humbje e fëmijërisë së sigurt. Dhe madje edhe kur lufta përfundon në letër, ajo nuk përfundon në kujtesën e fëmijës.Sipas të dhënave zyrtare, lufta e pushtimit në shkallë të gjerë e Rusisë ka marrë tashmë jetën e rreth 700 fëmijëve ukrainas. Mijëra të tjerë janë lënduar. Më shumë se 2 milionë fëmijë ukrainas aktualisht jetojnë jashtë vendit si refugjatë ose persona të zhvendosur. Një tragjedi e veçantë dhe e thellë është rrëmbimi dhe deportimi i paligjshëm i fëmijëve ukrainas në Rusi. Nga rreth 20,000 fëmijë të rrëmbyer, vetëm rreth 2,000 janë kthyer deri më tani.
Është e rëndësishme të kuptohet se këto shifra janë të paplotësuara. Për shkak të armiqësive të vazhdueshme, minave tokësore dhe pushtimit të përkohshëm të pjesëve të Ukrainës, numri real i fëmijëve të prekur ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë. Por sot nuk dua të flas vetëm me gjuhën e statistikave. Sot dëshiroj të flas me gjuhën e nënës. Djali im Nazar ka lindur në vitin 2014, vitin e parë kur Rusia pushtoi për herë të parë [Ukrainën]. Kjo do të thotë se ai nuk ka pasur kurrë, nuk ka pasur asnjë periudhë paqeje gjatë jetës së tij”, tha ajo.
