Buxheti i Kosovës për vitin e ardhshëm ndryshe nga vitet e kaluara, ku investimet më të mëdha i kishte orientuar në ndërtimin e rrugëve dhe autostradave, për vitin e 2019 është projektuar më ndryshe.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar javën e kaluar Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2019. Të hyrat e përgjithshme buxhetore për vitin e ardhshëm pritet të jenë në shumën prej 2.3 miliardë euro.
Përveç, sistemit të drejtësisë, arsimit dhe shëndetësisë, projektbuxheti për vitin 2019, vë në prioritet edhe kategoritë sociale.
Numri i kategorive sociale në Kosovë ndër vite ka shënuar rritje. Vetëm në këtë vit Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale planifikon të shpenzojë mbi 350 milionë euro për kategori të shumta sociale në vend.
Artan Mustafa, ligjërues i politikave sociale në Universitetin për Biznes dhe Teknologji, thotë për Radion Evropa e Lirë se në vitet e fundit ka pasur një shtim joproporcional të skemave sociale, në veçanti të pensioneve shtetërore.
“Problemi, sipas perspektivës time nuk është rritja e shpenzimit si përqindje e buxhetit të përgjithshëm kombëtar, pasi që ne kemi ende shpenzimin më të vogël social në Ballkan dhe Evropë. Mirëpo, problemi është në çka shpenzojmë kur flasim për shpenzim social”.
“Ajo që ka ndodhur në vitet e fundit kemi pasur një shtim jo proporcional të skemave në veçanti të pensioneve shtetërore dhe sistemi përmes këtyre shtimeve ka marrë një natyrë tjetër nga ajo që është menduar pas luftës edhe ka filluar të koncentrohet në grupet e forta të interesit. Kjo qasje nuk i ndihmon rritjes së kohezionit social, derisa po përballemi drejt krizës së emigracionit drejt Evropës”, thekson Mustafa.
Ai shton se shpenzimet sociale duhet të orientohen drejt qëllimeve kombëtare, në fokus forcimin e kohezionit social dhe kohezionit mes gjeneratave. Sipas tij, Kosova shumë pak jep për fëmijë dhe për forcën punëtore, ndërsa më shumë motivojmë grupet e interesit që kanë fuqi të madhe politike.
Mustafa, po ashtu, thekson se shtimi i këtyre skemave sociale është në kundërshtim edhe me reformat që i ka filluar kohës së fundit Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e që ka të bëjë me projekte të ndryshme për punësim.
“Qeveria e Kosovës duhet të konsultohet edhe me institucionet brenda dhe të harmonizojnë qëndrimet dhe rritjet që planifikohen të ndërlidhen në mënyrë më të mirë me zhvillimet në tregun e punës dhe ekonomi”, thotë Mustafa
Baza e politikave sociale në Kosovë përbëhet nga skema e ndihmës sociale, skema e pensioneve, ku përfshihen pensionet e moshës dhe kontribut-dhënëse, skema e pensioneve për familjet e dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës, pensionimet e parakohshme të disa ndërmarrjeve, përfitues me pensione për personat me aftësi të kufizuara.
Ministri i Financave Bedri Hamza, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka bërë të ditur se buxheti për vitin 2019 ka paraparë rritje të buxhetit për skemat sociale.
“Subvencionet dhe transferet do të rriten për 16 për qind apo për 83 milionë euro, ku mbi 30 milionë euro janë dedikuar për rritjen e pensioneve bazike dhe kontribut-dhënëse dhe për ofrimin e financimit të plotë të skemave të reja të filluara në vitin 2018”, thekson ai.
Qeveria e Kosovës në vitin 2018 kishte filluar financimin e skemave të përkrahjes për qytetarët e pa-aftësuar në vendin e punës, skema për qytetarët paraplegjik dhe kujdestarëve të tyre, si dhe për mbështetjen financiare për viktimat e dhunës seksuale të luftës.
Fondi Monetar Ndërkombëtar, ndërkohë, ka tërhequr vërejtjen se trendet dhe presioni në rritje për të futur në zbatim skema të reja të pakuptimta kategorike sociale mund të çojë Kosovën në rrugën e krijimit të një krize fiskale.
Ata kishin bërë të ditur se në vitin 2017 Kosova shpenzoi diku 383 milionë euro për skemat sociale, 30 për qind më shumë se në vitin 2015.
Sipas FMN-së, parashihet që shpenzimet për skema sociale të shkojnë deri në mbi 400 milionë euro, një rritje prej më shumë se 10 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Rreth një e treta e kësaj rritje vjen sërish për shkak të skemës për veteranët e luftës meqë mbi 2000 përfitues të rinj janë shtuar këtë vit.