Nga një muaj paraburgim është caktuar ndaj pesë të dyshuarve për dallavere me patentë shoferë në Pejë, ndërsa e dyshuara e gjashtë është në arrest shtëpiak
Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masë paraburgimi në kohëzgjatje prej 30 ditësh për pesë të dyshuarit A.SH, R.S, L.G, M.I, D.T, ndërsa për të pandehurën T.SH është caktuar arrest shtëpiak.
Kështu ka bërë të ditur bashkëpunëtorja profesionale e kësaj Gjykate, Elzana Kastrati.
“Sipas kërkesës tuaj, ju njoftojë se ndaj të pandehurve A.SH, R.S, L.G, M.I dhe D.T, është caktuar masa e paraburgimit nga data 23 korrik 2024 deri me datë 22 gusht 2024, ndërsa të pandehurës T.SH, i është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje të njëjtë me të pandehurit tjerë”, thuhet në përgjigjen e Kastratit, njofton“Betimi për Drejtësi”.
Nga ana tjetër, Policia e Kosovës ka njoftuar se gjashtë të dyshuar janë persona zyrtarë në Departamenin e patentë shoferëve, të cilët dyshohen se organizuan provime duke mos i përfillur format zyrtare elektronike.
“Personat e dyshuar, gjashtë (6) prej tyre persona zyrtarë nga departamenti i patentë shoferëve, Ministria e Infrastrukturës, duke bashkëvepruar dyshohet se kanë vepruar jashtë rregulloreve dhe udhëzimeve të Ministrisë së Infrastrukturës, duke organizuar provime për marrjen e patentë shoferëve jashtë orarit zyrtar të punës, duke përdorur metodën e testimeve në formë fizike dhe duke mos i përfillur format zyrtare elektronike. Dyshohet se testet janë plotësuar në emër të kandidatëve nga ana e zyrtarëve të njësisë së patentë shoferëve në Pejë dhe të njëjtat në mënyrë të kundërligjshme janë futur në sistem nga ana e zyrtarit të IT-së”, thuhej në njoftimin e Policisë.