Nga një paraburgim dy të dyshuarve për 5.5 kg narkotikë të llojit heroinë

Prishtinë | 10 Tet 2020 | 14:56 | Nga Ekonomia Online

Nga një muaj paraburgim u është caktuar dy të dyshuarve për trafikim me narkotikë, të llojit heroinë, bën të ditur Gjykata Themelore në Ferizaj.

“Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit A.E. shtetas i Republikës së Maqedonisë dhe S.A. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, thuhet në komunikatë.

Tutje bëhet e ditur se të pandehurit dyshohet se më 8 tetor 2020 në Ferizaj, kanë poseduar pa autorizim substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë, në atë mënyrë që i pandehuri A.E. lëndën narkotike e ka siguruar nga persona të panjohur në Maqedoni të cilën më pas e ka sjell në Kosovë, me ç’rast i pandehuri S.A të njëjtën e ka vendosur në një kioskë në oborrin e shtëpisë së vëllait të tij, ku është duke qëndruar për pushime, ndërsa hetuesit DHTN-së pas zbatimit të urdhëresës së gjykatës për urdhër kontroll, kanë gjetur 5.5 kg (kilogramë) lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë, të cilat janë sekuestruar nga policia.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, Sahit Krasniqi, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme