Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama shprehu mbështetjen për Izraelin dhe popullin izraelit, gjatë një aktiviteti të organizuar në ShBA për kontributin dhe vlerësimin e Shqipërisë dhënë për strehimin dhe mbrojtjen e hebrenjve.
Në një fjalim të gjatë për të pranishmit, Rama kujtoi krimet e komunizmit, duke u shprehur se shqiptarët e kuptojnë dhimbjen e hebrenjve, që u përballën me spastrim nga regjimi nazist, raporton Top Channel.
“Për ata që nuk kanë qenë kurrë në Tiranë, atje ka një bunker të nëndheshëm në qendër të qytetit. U ndërtua për t’i bërë ballë sulmit të NATO-s. Sot është transformuar në një hapësirë kushtuar viktimave që e ndërtuan. Bunkeri të kujton një ngjasim modest të Yad Vashemit: Brenda shkallëve, poshtë fotografive të mijërave shqiptarëve të vrarë nga regjimi ynë i stilit koreanoverior në mes të Evropës, disa shkronja neoni formojnë fjalët e Primo Levit, ‘ata që harrojnë të shkuarën, janë të dënuar ta jetojnë sërish’.
“Po e sjell këtu jo për të hequr ndonjë paralelizëm të pamundur midis shfarosjes së tmerrshme masive të miliona hebrenjve nga regjimi nazist dhe vdekjeve tragjike që regjimi ynë komunist u solli mijëra të pafajshëm që u shpallën armiq të popullit, por thjesht për t’ju thënë të gjithëve ju se ne, shqiptarët, e njohim si dhimbjen e pashembullt të plagëve të mëdha të historisë, ashtu dhe nevojën e pakrahasueshme, ashtu dhe nevojën për të mos i harruar kurrë shkaqet e tyre. Jemi dy kombe të vegjël si madhësi, por me shpirt të jashtëzakonshëm. Madje, u lumturova kur mësova se popullsia në Izrael arriti në 10 milionë banorë, sepse besoj se çdo hebre i porsalindur është një bekim jo vetëm për Izraelin, por për mbarë botën, borxhi i së cilës ndaj hebrenjve nuk mund të fshihet kurrë”.
Rama u shpreh i bindur se si Shqipëria, edhe Izraeli, mund të dalin më të fortë nga çdo sprovë.
Kryeministri kujtoi si Shqipëria strehoi hebrenjtë, kur shtetet e tjera i dorëzonin te armiku.
Në fund, organizatorët i dhanë kryeministrit shqiptar Çmimin Global për Udhëheqje CAM.