Nga ora 12:00 do të duhej të ishte në burg, Agim Ademi rri në zyrën e tij në FFK

????????????????????????????????????
Prishtinë | 18 Qer 2020 | 13:59 | Nga Ekonomia Online

Sot në orën 12:00 ka qenë afati i fundit kur kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) do të duhej të paraqitej në Shërbimin Korrektues në Prishtinë për të filluar mbajtjen e dënimit me burg për 9 muaj, që i ishte shqiptuar së fundi.

Gjykata Themelore e Prishtinës më 26 maj kishte lëshuar urdhëresë që më së largu deri më 18 qershor në orën 12:00, Ademi të paraqitet për ta mbajtur dënimin.

Burime të sigurta brenda FFK-së i kanë thënë Insportit se kreu i institucionit më të lartë të futbollit në vend, Agim Ademi, ka shkuar në zyrën e tij edhe pas orës 12:00, duke injoruar urdhëresën e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

 Sipas urdhëresës, nëse Ademi nuk do të paraqitej deri në datën e caktuar , atëherë Gjykata Themelore do të lëshonte urdhëresë për ndalimin, arrestimin dhe dërgimin e tij me forcë në Shërbimin Korrektues.

Insporti ka provuar që ta pyes Gjykatën Themelore të Prishtinës për veprimet e mëtejme lidhur me këtë çështje, por kontakti ka qenë i pamundur.

Po ashtu kontatki i pamundur ka qenë edhe me Agim Ademi, i cili nuk ka qenë i qasshëm.

Agim Ademi është dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës me 9 muaj burgim efektiv për detyrim në tentative në një rast në vitin 2012. Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë e cila e shpallte fajtor Ademin. 

Të ngjashme