Që nga pas lufta 1 138 persona kanë bërë vetëvrasje në Kosovës, kurse 3 734 kanë tentuar të bëjnë një akt të tillë. Kurse për nëntë muaj të këtij viti në Kosovë kanë ndodhur 19 vetëvrasje kurse 98 persona kanë tentuar të bëjnë një akt të tillë, kjo bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovës.
Në vitin 2014 është shënuar numri më i madh i vetëvrasjeve, ku numri ka arritur ne 80, përderisa në vitin 2013, 236 persona kanë tentuat të vetëvriten. Numri i vetëvrasjeve ka shënuar rënie nga ky vit ku vitin e kaluar kanë qenë 38 vetëvrasje dhe 164 tentim vetëvrasjeje.
Policia përmes e-mailit i ka thënë Ekonomia Online se kompetencë e tyre është hetimi i shtyrjes në vetëvrasje dhe se vetëvrasja si akt nuk është vepër penale.
“Lidhur me rastet e vetëvrasjeve Policia e i heton këto raste kur dyshohet se personi është shtyrë të bëjë një veprim të tillë, pra ‘shtyrja në vetëvrasje’ dhe kur mendohet se i/e vetëvrari-ja është ndihmuar për të kryer aktin, pra ‘ndihma në vetë vrasje”.
“Vetëvrasja si akt nuk është vepër penale, kurse ‘shtytja…’ dhe ‘ndihma…’ janë vepra penale në bazë të Kodit Penal të Kosovës, ku PK-ja kryen hetime”.
Sami Rexhepi, psikolog në Shtëpinë e Shëndeti Mendor, ka deklaruar për Ekonomia Online se statistika e vetëvrasjeve në vend janë mjaftë të larta dhe dëshpëruese, në krahasim me numrin e banorëve.
Rexhepi, ka thënë numri i vetëvrasjeve është rritur shumë dhe kjo mund të lidhet me pasojat e pasluftës, të cilat kanë ndikuar më vonë.
Por sipas tij, edhe premtimet e politikanëve të cilat krijojnë pritshmëri të mëdha te të rinjtë, bëjnë që ata të përfundojnë në dëshpërim të mëdha.
“Mjerisht, statistikat janë mjaftë dëshpëruese, janë mjaftë të lartë për një popullatë e cila është më pak se 2 milionë. Një kohë kemi qenë populli ma i mbrojtur nga vetëvrasjet dhe kemi pasur numër më të vogël të vetëvrasjeve në ish-Jogusllavi”.
“Numri i vetëvrasjeve është rritur shumë, e sidomos i të rinjve është shumë i madh. Kjo mundet me u shpjeguar me pasojat e pasluftës, të cilat kanë ndikuar më vonë. Më vonë njerëzit kanë filluar të ballafaqohen me një realitet tjetër”.
“Reportazhet para zgjedhjeve që krijojnë pritshmëri shumë të madhe të njerëzit, e të cilat më pas përfundojnë me dëshpërime të mëdha. Kjo është gjendja kur njerëzit e humbin atë baraspeshën. Për aktin e vetëvrasjes është një errësim i plotë i vetëdijes. Njeriu me vetëdije të plotë nuk e kryen aktin e vetëvrasjes”, u shpreh Rexhepi.
Ai me tej ka deklaruar se gjinia femërore është më e prekur nga tentimvrasjet, ndërsa te gjinia mashkullore dominojnë vetëvrasjet.
Rexhepi, ka theksuar se janë bërë disa strategji për parandalimin e vetëvrasjeve, por që mungon implementimi i tyre.
Ndër të tjera, Rexhepi theksoi se secili biznes duhet të ketë nga një psikolog, por shkollat patjetër.
“Kur flasim për tentim vetëvrasje, për nga gjinitë më së shumti dominon gjinia femërore, të cilat zgjedhin metoda me pak lehtësuese. Ndërsa meshkujt zgjedhin varjen apo revolen gjë që dërgon në vetëvrasje. Tentim vetëvrasjet mbesin në atë qëllim si nevojë për me e tërheq vëmendjen e tjerëve që dikush ka nevojë për ndihmë dhe përkrahje. Ata persona i kanë syzet shumë të errtë dhe nuk i shohin të gjitha ngjyrat e jetës”.
“Nuk ka shpresë dhe zhgënjimi është shumë i madh. Janë bërë disa strategji për parandalimin e vetëvrasjeve, por ne kemi mungesë në implementimin e tyre. Varfëria nuk është arsyeja kryesore, sepse ka shumë njerëz në gjendje jo të mirë financiare por që e tejkalojnë çdo ditë të jetës së tyre”.
“Mundemi me i dallua prej veprimeve dhe mënyrës së reagimit që dikush ka nevojë. Mjerisht, nuk kemi rol pozitiv të medieve në këtë drejtim. Shumica e medieve janë krijuar për kronika të zeza, ku shumë pak kemi rezultate. Gjitha bizneset duhet të kenë një psikolog”.
“Çdo klub i sportit ka nevojë për një psikolog, për shkolla është e domosdoshme. Një shkollë e mesme pa psikolog është gjë e papranueshme. Jo të gjithë të rinjtë, kalimin prej një periudhe në një tjetrën e përballojnë shumë lehtë”, tha ai.
10 shtatori njihet si Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjeve. Të dhënat tregojnë se në botë, çdo vit, vetëvrasje bëjnë gati një milion persona. Rreth 3000 njerëz kryejnë vetëvrasje brenda një dite në mbarë botën.
Duke iu referuar të dhënave në Sistemin Informativ te PK-së për periudhën kohore 1999 – 09 shtator 2019 për rastet Vetëvrasje dhe vetëvrasje ne tentative janë si në vijim:
Viti 1999: Janë evidentuar: 2 vetëvrasje dhe 0 tentim vetëvrasjeje,
Viti 2000: Janë evidentuar: 52 vetëvrasje dhe 9 tentim vetëvrasjeje,
Viti 2001: Janë evidentuar: 69 vetëvrasje dhe 45 tentim vetëvrasjeje,
Viti 2002: Janë evidentuar: 50 vetëvrasje dhe 52 tentim vetëvrasjeje,
Viti 2003: Janë evidentuar: 63 vetëvrasje dhe 73 tentim vetëvrasjeje,
Viti 2004: Janë evidentuar: 65 vetëvrasje dhe 94 tentim vetëvrasjeje,
Viti 2005: Janë evidentuar: 56 vetëvrasje dhe 110 tentim vetëvrasjeje,
Viti 2006: Janë evidentuar: 60 vetëvrasje dhe 173 tentim vetëvrasjeje,
Viti 2007: Janë evidentuar: 61 vetëvrasje dhe 215 tentim vetëvrasjeje,
2008: Janë evidentuar: 65 vetëvrasje dhe 241 tentim vetëvrasjeje,
Viti 2009: Janë evidentuar: 77 vetëvrasje dhe 292 tentim vetëvrasjeje,
Viti 2010: Janë evidentuar: 71 vetëvrasje dhe 368 tentim vetëvrasjeje,
Viti 2011: Janë evidentuar: 55 vetëvrasje dhe 317 tentim vetëvrasjeje,
Viti 2012: Janë evidentuar: 61 vetëvrasje dhe 344 tentim vetëvrasjeje,
Viti 2013: Janë evidentuar: 60 vetëvrasje dhe 236 tentim vetëvrasjeje,
Viti 2014: Janë evidentuar: 80 vetëvrasje dhe 247 tentim vetëvrasjeje,
Viti 2015: Janë evidentuar: 59 vetëvrasje dhe 207 tentim vetëvrasjeje,
Viti 2016: Janë evidentuar: 43 vetëvrasje dhe 228 tentim vetëvrasjeje,
Viti 2017: Janë evidentuar: 32 vetëvrasje dhe 221 tentim vetëvrasjeje,
Viti 2018: Janë evidentuar: 38 vetëvrasje dhe 164 tentim vetëvrasjeje,
Viti 2019 (Janar – 09.09.2019) : Janë evidentuar: 19 vetëvrasje dhe 98 tentim vetëvrasjeje.