“Mbiemri Gërvalla është një vrimë e madhe e errët në ndërgjegjen e Serbisë”, në këtë mënyrë Donika Gërvalla, ministrja e Punëve të Jashtme i është drejtuar Nikola Selekoviqit teksa ai refuzonte ta thërriste Gërvalla, në mbledhjen e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Aty pati një përplasje në mes kryediplomates nga Kosova dhe atij të Serbisë.
Selakoviq vazhdimisht e thërriste Schwarz, mbiemrin e burrit të Gërvallës.
“Nuk dua t’ju mërzis me këto sulmet personale, por nuk munda ta kaloj këtë gjë. Z. Selakoviq nuk arrin të më thërras në mbiemër, që nuk është Schwarz, ky është i burrit tim. Mbiemri im është Gërvalla dhe ka një arsye pse Selakoviq nuk mund të më thërras sipas këtij mbiemri. Ky është mbiemri i babait tim të cilin Beogradi e ka dëbuar në Gjermani. Ka qenë shkrimtar, gazetar, muzikant dhe është vrarë nga shërbimi i sigurimit serb”, ka thënë Gërvalla.
“Mu për këtë është shumë vështirë që të përmendet mbiemri Gërvalla, sepse është një vrimë e madhe e errët në ndërgjegjen e Serbisë. Do të mund shpenzoja shumë kohë për të reaguar në shumë gjëra, vetëm se nuk do të reagoj, sepse e respektoj kohën e këtij organi të nderuar”, ka deklaruar ajo.
E në atë mbledhje, Gërvalla ka thënë se Serbia është duke përgatitur destabilizim në Kosovë.
“Jemi të kënaqur që aleatët tjerë ndërkombëtarë janë afër nesh. Ka qenë sekretari Stoltenberg që e ka ndalur Vuçiqin të nxisë destabilizim. Vendimet e qeverisë tonë janë pritur shumë gjatë. Në vitin 2011 Serbia është pajtuar në Bruksel për lirinë e lëvizjes. Kur ne i kërkuam Serbisë që ta ndalë këtë diskriminim ai nuk pranoi kështu që na detyroi të lëviznim me reciprocitet”.
Ndërkaq Selakoviq donte të fliste rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Sipas tij, Kosova nuk e ka kryer këtë obligim të dalë nga marrëveshja e Brukselit.
E bazuar në diskursin e Selakoviqit, mos-miratimi i Asociacionit të Komunave Serbe është i drejtuar kundër serbëve të Kosovës.
“Ne e refuzojmë kategorikisht argumentimin e Prishtinës për jokushtetueshmërinë për krijimin e Asociacionit. Kjo reflekton sjelljen e tyre dhe serbëve në provincë dhe tregon se Prishtina është kundër njerëzve, serbëve, si një komunitet etnik në atë vend. Qëllimi i tyre është një komunitet pa serbë si ajo në Prishtinë, Gjakovë apo në Pejë”, ka deklaruar ai.
E aty pati përplasje edhe për çështjen e targave, ku Gërvalla ka thënë se 90 për qind e serbëve i kanë konvertuar targat nga “KM” në “RKS”.
“Dua t’i adresoj disa kërcënime serioze ndaj stabilitetit dhe paqes në rajon. Më i afërmi është eskalimi i Vuçiqit, i cili po kërcënon Republikën e Kosovës për në fund të tetorit. Në fund të këtij muaji përfundon periudha kalimtare për zëvendësimin e targave të paligjshme në të ligjshme. Tashmë 90 për qind e pronarëve të veturave kanë zëvendësuar targat e tyre të paligjshme me ato të ligjshme. Ekziston një pakicë prej 10 për qind që kanë ende dy javë për t’u regjistruar”, theksoi kryediplomatja Gërvalla në mbledhjen e Këshillit të OKB’së.
E Selakoviq i ka thënë asaj që “po gënjen”, rreth targave, pasi sipas tij shumë pak serb i kanë konvertuar targat.
Madje sipas tij, Gërvall “ka gënjyer” edhe kur tha se Kosova është vend demokratik.
“Gënjeshtër brutale tha se 90 për qind e targave të veturave serbe janë riregjistruar. Janë 9000 vetura në veri të Kosovës Vetëm dy prej tyre janë riregjistruar. A është 90 për qind kjo? Është shembulli më i mirë i gënjeshtrës brutale”, deklaroi kryediplomati serb.
Ai ka shtuar se Kosova është duke kërcënuar serbët duke ndërtuar bazën e Njësisë speciale në Veri”.
“Folët se si po e përgatit Vuçiqi agresionin, por nuk po tregoni se çfarë po bën Prishtina. Prishtina e Albin Kurti po ndërtojnë bazën e re për njësinë speciale në veri të Kosovës. Cila është arsyeja për këtë? A nuk është përgatitje për agresion kjo, për të dëbuar ata serbë që kanë mbetur në Kosovë”, ka thënë ai.
Kryediplomati serb nuk hezitoi të thotë se dy ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli “janë në Hagë për t’u dënuar”.
E Gërvalla ia përmendi krimet e bëra të Serbisë në Kosovë si dhe planet e Vuçiqit për ta destabilizuar veriun.