Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, njoftoi se në sulmin e mëngjesit të sotëm në qendër të Kabulit janë lënduar disa të punësuar në ambasadën e Gjermanisë, ndërsa një pjesëtar i sigurisë ka humbur jetën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gabriel deklaroi se i gjithë personeli është i sigurtë dhe i shprehu ngushëllim familjes së të vdekurit. Ai premtoi se sulmi nuk do të ndikojë në vendosmërinë e Gjermanisë që “të mbështesë autoritetet afgane në stabilizimin e vendit”.
Ministria gjermane e Punëve të Jashtme ka angazhuar një ekip të krizave për ofrimin e ndihmës pas sulmit me bombë në qendër të Kabulit, në rajonin ku janë vendosur shumë përfaqësi të huaja diplomatike.
Sulmi ndodhi afër ambasadës gjermane, por në këtë rajon janë të vendosura edhe ambasadat e Turqisë, Japonisë, Iranit dhe vendeve tjera.
Forcat afgane të sigurisë kanë bllokuar qasjen në vendin e sulmit, ndërsa dëmi material është evident në të gjitha ndërtesat e zonës.
Zyrtarët afganë njoftuan se në sulm kanë humbur jetën së paku 80 persona, ndërsa 350 të tjerë janë lënduar. Ende askush nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin.