“Shqipëria nuk është e varfër, por vidhet çdo ditë nga Rama dhe klientët e tij”. Kështu shkruan në një koment në Facebook, ish-deputeti i PD-së Agron Shehaj i cili ka publikuar bilancin e kompanisë që ka me koncesion mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit.
“Vetëm për vitin 2018, kompania ka fituar rreth 10 milionë euro. Para që u janë marrë qytetarëve nga taksa e kalimit, por edhe nga Buxheti i Shtetit. Trau në Rrugën e Kombit është vendosur në Shtator të 2018 dhe ortakët e Kompanisë do fusin në xhep 10 milionë euro vetëm në 3 muaj e gjysmë punë, me një marzh fitimi prej afro 40%. Ky është vetëm viti i parë i një koncesioni që do të zgjasë 35 vjet. Dhe pēr 35 vjet qytetarët do paguajnë nga xhepi për fitimet e majme të koncesionarit”, shkruan Shehaj.
Ai thotë se është një tjetër mashtrim i Edi Ramës kur tha se koncesioni duhej për të mirëmbajtur Rrugën e Kombit, por në të vërtet duhet për të pasuruar atë dhe miqtë e tij.
“Kjo është një provë e qartë pse Rama ka përdorur masivisht PPP-të, pavarësisht kritikave të Bankës Botërore, FMN-në dhe Departamentit Amerikan të Shtetit: të vjedhë shqiptarët për të pasuruar veten dhe për të konsoliduar pushtetin personal. Partia Demokratike do të ndjekë paratë për çdo koncension të padrejtë dhe do vendosi para drejtësisë të gjithë pushtetarët grabitqarë dhe ortakët e tyre”, shkruan Shehaj.