Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, gjatë ditës së sotme (e premte), ka pritur në takim drejtorin ekzekutiv të “Sunny Hill”, Dukagjin Lipën, si dhe organizatorët e tjerë të festivalit.
Shala përmes një postimi të publikuar në rrjetin social, Facebook ka bërë të ditur se nga viti i ardhshëm do të ndërrohet lokacioni i “Sunny Hill”.
Ai ka potencuar se ky festival do të mbahet në Qendrën e Panaireve në Bernicë, për shkak të hapësirës më të madhe.
“Ngjarja e madhe kulturore në Kosovë, e cila ka bërë bujë ndërkombëtare, festivali “Sunny Hill”, nga viti i ardhshëm do të mbahet në Qendrën e Panaireve në Bernicë-Prishtinë. Sot prita në takim përfaqësuesit e “Sunny Hill Festival”, Dukagjin Lipën me bashkëpunëtorët, dhe u dakorduam që ky festival nga viti i ardhshëm të mbahet në Qendrën e Panaireve në Bërnicë, hapësirën e re e cila do të akomodojë dhjetëra mijëra njerëz më shumë, nga gjithë rajoni dhe Evropa, për ta bërë Kosovën destinacionin kryesor për verë.Misioni ynë është që ta promovojmë vendin tonë në botë, dhe ta nxisim turizmin kulturor në vend, përmes promovimit të vlerave tona të përbashkëta”, ka shkruar Shala në njoftimin e tij.