Inflacioni në 19 vendet që ndajnë euron, u ngadalësua papritmas gjatë muajit mars, duke shtuar presionet te Banka Qendrore Evropiane për të mbajtur më gjatë stimujt monetarë.
Në këtë muaj inflacioni u ngadalësua në 1.4 për qind, poshtë pritshmërive të tregjeve dhe objektivit të Bankës Qendrore Evropiane që ishte 2 për qind.
Duke shtuar shqetësimet, inflacioni bazë që përjashton çmimet e luhatura të energjisë dhe ushqimit të papërpunuar, u ngadalësua në 1 për qind, gjë që është niveli më i ulët që prej muajit prill 2018.
Pavarësisht se pagat janë rritur dhe punësimi ndodhet në nivel rekord të lartë, çmimet e konsumit kanë qëndruar të dobëta duke ngritur dyshime mbi aftësinë e bankës për të kontrolluar inflacionin.
Presidenti i BQE-së, Mario Draghi, ka parashikuar prej kohësh një rritje të inflacionin, por të dhënat zhgënjyese kanë bërë që Banka Qendrore të kërkojë më shumë kohë në arritjen e objektivit.
Rënia e inflacionit bazë mund të rimëkëmbet muajin e ardhshëm, pasi ekonomistët e kanë fajësuar këtë ndaj faktorëve sezonalë, pasi mund të vijë një rritje e çmimeve gjatë pushimeve për pashkët.
Pavarësisht se Banka Qendrore Evropiane përfundoi programin e blerjes së obligacioneve prej 2.6 trilionë euro në fund të vitit të kaluar, institucioni ka vonuar planet për të rritur normat e interesit. Komponenti i energjisë ishte i vetmi me rritje të shpejtë në muajin mars me 5.3 për qind me bazë vjetore.