Punimet në ndërtimin e Spitalit të Pediatrisë kanë ngecur, duke mos arritur që projekti të përfundojë deri në fund të këtij viti, ashtu siç ishte planifikuar. Gurthemeli i këtij spitali është vënë në mars të vitit të kaluar pas një donacioni që kishin dhënë, prej 22 milionë dollarëve amerikanë, Emiratet e Bashkuara Arabe.
Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë i kanë thënë gazetës “Zëri” se shkak i ngecjes së këtyre punimeve është pastrimi i hapësirës ku duhet të ndërtohet spitali dhe të rrënohen disa anekse të spitaleve në mënyrë që të vazhdohet me ndërtim.
“Ka pasur disa shtyrje në fillimin e këtyre punimeve për shkak se kompanitë që kanë marrë pjesë në tenderin për ta bërë pastrimin e kësaj hapësire kanë ushtruar kohë pas kohe ankesa ndaj fituesit. Faza e parë është pastrimi i terrenit në vendin ku do të ndërtohet spitali, me ç’rast është dashur të largohen anekset e vjetra të Pediatrisë, ku ka qenë të vendosura ambulancat e kësaj klinike. Pastaj dislokimi komplet i infrastrukturës, duke përfshirë kabllot e rrymës, të ujit, të kanalizimit, të ngrohjes, të telefonisë dhe të gjitha të tjerat që kanë kaluar nëpër hapësirën ku do të ndërtohet spitali. Për t’i kryer këto punime është e kontraktuar një kompani vendore, e cila duhet ta bëjë pastrimin e terrenit deri kah mesi i gushtit”, kanë thënë për “Zërin” zyrtarë për informim të MSH-së.