NATO është forca ushtarake që me praninë e saj si KFOR garanton sigurinë në Kosovë, por zhvillimet e fundit në Veri e kanë shtyrë këtë aleancë të përfshihet pak edhe në dialogun mes Kosovës e Serbisë. Kështu Kurti e Vuçiq përveç takimeve në selinë e BE’së më 18 gusht, ku do të priten nga ndërmjetësit, një ditë më herët do të qëndrojnë edhe në zyrtat kryesore të NATO’s.
Menjëherë pas tensioneve të 31 gushtit kur situata në Veri ishte afër eskalimit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO’s Jens Stolteberg kreu telefonata me rëndësi në Prishtinë e Beograd për t’a kujtuar se çfarë bë KFOR në rast se është e nevojshme.
Ish – kryeministri norvegjez kur njoftoi për bisedat me Kurtin dhe Vuçiqin tha se të gjitha palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog për t’i zgjidhur dallimet e tyre në mënyrë diplomatike.
“NATO -KFOR është i gatshëm të intervenojë bazuar në mandatin që e OKB’së nëse rrezikohet stabiliteti” paralajmëroi Stoltenberg.
Bashkimi Europian ndërkaq pas atyre zhvillimeve kërkoi shtyrjen e vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet, qëllim që e arriti pas ndihmës nga amerikanët.
Një ditë pas tensioneve Brukseli i qortoi palët publikisht, nëpërmjet një komunikate për media. Qeverinë për veprime unilaterale ndërsa serbët në Veri për bllokim të rrugëve.
Ndërkohë Brukseli iu përvesh punës për të siguruar një takim të ri Kurti -Vuçiq të cilin arriti ta aranzhojë për datën 18 gusht.
Pavaërsisht thirrjve për ulje të tensioneve, retorika e ashpër s’është ndalur.
Sidomos, nga Vuçiq i cili duke folur për vendimin e Kosovës për targa dhe dokumente për hyrje dalje nga Serbia në Kosovë, tha se Kosova përgatit sulm dhe vrasje në Veri.
Për këtë Vuçiq nuk mori ndonjë vërejtje as nga BE të cilat thanë se janë duke e përgatirur takimin.
Në gjithë këto zhvillime , NATO ka vendosur që të mos rrijë duarkryq dhe vetëm me apele për palët.
Të premten u bë e ditur se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg do t’i pres 17 gusht në takime të ndara kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksander Vuçiq.
Për këto takime ka njoftuar vet Aleanca përmes një komunikate për media, raporton Gazeta Express.
Takimi me Stoltenberg vjen një ditë para se dy liderët t’i pres në Bruksel, kryediplomati evropian Josep Borell.
“Të mërkurën, më 17 gusht 2022, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Jens Stoltenberg, do të presë z. Albin Kurti. Sekretari i Përgjithshëm dhe z. Kurti pas takimit do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp në selinë e NATO-s”, thuhet në komunikatën e NATO-s për takimin me shefin e qeverisë kosovare.
Të njëjtën ditë Stoltenberg do ta pres edhe presidentin serb, Vuçiq.
“Të mërkurën, më 17 gusht 2022, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Jens Stoltenberg, do të presë Presidentin e Republikës së Serbisë, z. Aleksandar Vuçiq. Sekretari i Përgjithshëm dhe Presidenti do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp në selinë e NATO-s pas takimit të tyre”, thuhet në komunikatë.