Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë kundër të G.K., pasi dyshohet se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë”, dhe, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, më 11 shkurt 2020, në fshatin Bërnjak, Komuna e Rahovecit, pikërisht në shtëpinë e tani të ndjerit, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje ka privuar nga jeta vëllain e tij, B. K.
“I pandehuri paraprakisht kishte njohuri se vëllai, kishte një shumë të konsiderueshme të parave të cilat i kishte marrë me vete nga shteti i Zvicrës, dhe ditën kritike rreth orës 09:00 i pandehuri kishte shkuar në shtëpinë e tij, ku gjatë një bisede të përbashkët, i pandehuri ishte fyer nga tani i ndjeri me pretekst se po i ndërhynë në familjen e tij.
I revoltuar nga kjo i pandehuri kthehet në shtëpinë e tij, merr revolen, ku rreth orës 11:00 përsëri shkon në shtëpinë e të ndjerit B.K, hynë brenda në shtëpi, dhe në sallon, ku po qëndronte i njëjti, e ka goditur me predha në gjoks duke e lënë të vdekur në vend.
Më pas i pandehuri e merr kufomën, dukë e tërhequr zvarrë me një batanije, e qet në oborr të shtëpisë, më pas kufomën e mbulon me materiale të ndryshme si: dru, plastika, thasë letre, dërrasa, letër të zezë, e gjëra tjera, të cilat më pas i ndez duke krijuar një zjarr të madh i cili qëndron i ndezur 2-3 ditë, dhe më pas mbeturinat se bashku me disa mbetje kockore të tani të ndjerit i hedh jashtë shtëpisë në një vend deri tani të pa identifikuar më qëllim për ti zhdukur gjurmët e krimit.
Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Po ashtu, i dyshuari më parë e deri më 11 shkurt 2021, pa autorizim ka poseduar armë dhe municion, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, në Republikën e Kosovës.
Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontrolle ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës kompetente, që i pandehuri G.K., të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cilat i vihen në barrë.