Njohësi i çështjeve politike, Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për lejimin e ngritjes së çmimit energjisë elektrike, duke thënë se kjo vjen si rezultat i “sinkronit ‘Qeveri-KEDS’.
Me anë të një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se “pasi Kryeministri deklaron në Kuvend se rryma në Kosovë është shumë lirë, një ditë më pas KEDS-i kërkon nga ZRRE-ja shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike”.
“Rezultati i këtij sinkroni ‘Qeveri-KEDS’, sot kulmon me shtrenjtimin e faturës së energjisë elektrike për 200 mijë familje. Ky është rezultati i një Qeverie që mbron interesin e korporatës në vend të interesit të qytetarëve”, ka shkruar Krasniqi, përcjell Telegrafi.
“Ky është diskriminim ndaj atyre që nuk kanë alternativa tjera për ngrohje gjatë dimrit. Shtrenjtimi për ata që shpenzojnë më shumë do të kishte kuptim vetëm atëherë kur të ofrohen alternativat e zgjedhjes. E alternativat që u ofruan – siç ishte projekti i gazit- u refuzuan”, ka shkruar ai.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka reaguar ndaj vendimit pë rritjen e Jmit të energjisë duke thënë se Qeveria ka bërë veprim të ngutshëm duke pranuar propozimin për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Në komunikatën për medie thuhet se BSPK ka pritur me shqetësim propozimin e KEDS-it drejtuar ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Edhe partitë opozitare në Kuvend, PDK dhe LDK kanë kundërshtuar ngritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Deputeti i Lidhjes Demoktatike të Kosovës, Besian Mustafa ka thënë se mosveprimet e Qeverisë lidhur me çmimin e energjisë elektrike do ta rëndojë kuletën e qytetarit për 42 për qind.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka thënë se kjo është njëra nga goditjet më të ashpra ndaj qytetarëve.
Anëtar i kryesisë së PDK-së, Blerand Stavileci në një konferencë për medie ka thënë se masat e propozuar nga Qeveria e Kosovës nuk përkojnë me gjendjen aktuale të familjeve.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) njofton se janë të obliguar që me ligj të përcaktojnë tarifa që e reflektojnë koston e ofrimit të energjisë tek konsumatorët dhe të dizajnojnë tarifa që e nxisin efiçiencën e energjisë.
ZRRE nëpërmjet një njoftimi ka theksuar se struktura tarifore me blloqe i favorizon konsumatorët që të kursejnë energjinë, për çka ka propozuar dy blloqe për konsumatorët shtëpiak.