Ngushtimi i rrugës “Agim Ramadani” vështirëson qarkullimin e urgjencës

Prishtinë | 25 Dhj 2020 | 21:50 | Nga Ekonomia Online

Trafiku i ngarkuar dhe rrugët e ngushta po bëhen çdo ditë e më tepër problematike për automjetet e ndihmës së parë derisa dalin nga rrugët kryesore.

Orët e pasdites kur trafiku është i dendur e sjellin para një sfide ndihmën e shpejtë, e cila shpeshherë bllokohet në mes të rrugës në qytet.

Tejkalimi në rrugën “Agim Ramadani” është bërë i vështirë për veturat e urgjencës prej kur rruga u ngushtua për t’i lënë hapësirë shtegut të biçikletave.

“Më ardhë një ndihmë e shpejtë këtu rruga s’ka më shancë dhe çdo herë kjo rrugë është e ngarkuar dhe s’ka shancë që me ja lëshu ndihmës së shpejtë, as policisë dhe as zjarrfikësve dhe këta ku e kanë marrë këtë idenë nuk e di veç katastrofë”, ka thënë qytetari Afrim Islami.

Islami thotë se është dashtë të bëhet një vend për parking dhe vendi të zgjerohej.

“Këta e kanë bë këtë punë shumë katastrofë, boll katastrofë ka qenë por edhe e kanë bërë edhe ma shumë dhe kurrë këtu asnjë banor nuk është pyetur, as një person që e ka një dyqan këtu sikur unë që e kam që 30 vjet, me ardh me pyet dhe me marr një mendim timin dhe vetë fakti tregon që e kanë ngushtuar rrugën që 30 vjet unë jam këtu dhe kurrë nuk kam parë biçiklet që kalon këtu, u dashtë me bë një vend parking prej këtu e atje dhe rruga është dashtë mu zgjeru dhe jo me u ngushtu”, tha ai.

Ndërsa një qytetar tjetër, Fran Karaqi, ka thënë se rruga nuk është projektuar si duhet.

“Realiteti është se ka nevojë çdo herë për biçikleta, por kanë mundur ta bëjnë vetëm një anë të rrugës, ndërsa në tjetrën në të rrugës me e rezervu për parking, edhe rruga të mbetet më e gjerë ashtu siç ka qenë. Sot shumë shpesh po shohim ndihmën e shpejtë, zjarrëfiksat të cilët për shkak të ngushtimit të rrugës e kanë të pamundur me kalu. Nuk është projektuar si duhet që dëmet që mundet me i shkaktu lokaleve”, tha ai.

Qytetari tjetër Naim Krasniqi ka dhënë mendimin e tij se ku do duhej të ishte hapësira e veçantë për biçikletat.

“Për biçikleta është periferia dhe është ajri pastër dhe atje munden me u bë ato stazat e biçikletave, dhe këtu duhet me u zgjeru rruga jo me u ngushtu, ku këtu për biçikleta ku këtu as për njerëz nuk ka hapësirë e le më për biçikleta”.

E se është bërë problem e thotë edhe shefi i Urgjencës, Isuf Bajrami, i cili tregon se kanë kërkuar që Qendra e Mjekësisë Urgjente ta ketë një trase të veçantë.

“Për këtë unë nuk jam kompetent të flas nga arsyeja sepse në një të ardhme ne kemi kërkuar që Qendra e Mjekësisë Urgjente që ta kenë trasenë e veçantë dhe automatikisht nuk e kemi këtë mundësi dhe operojmë në rrugët që i kemi dhe shpresojmë që të ardhmen të gjendet zgjidhja adekuate”, tha ai.

Nga Komuna e Prishtinës thonë se me përfundimin e segmentit tjetër të ‘’Agim Ramadanit’’ do të lirohet edhe hapësira për qarkullimin e automjeteve të urgjencës.

“Urgjenca sipas projektit e ka një trase të veçantë dhe jo vetëm urgjenca, por të gjithë çka kanë të bëjnë me çështjet e emergjencës, ku hyjnë shërbimi policor, zjarrfikësit”, ka thënë Gëzim Mehmeti, drejtori i Investimeve Kapitale.

E deri në përfundimin e këtij projekti, urgjenca do të ballafaqohet me probleme të tilla.

Të ngjashme