Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Nicholas Abbott, ka thënë se procesi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë është në një fazë shumë të vështirë.
Në një intervistë për portalin Kossev, ai tha se asnjëra nga palët s’kanë një vizion të përbashkët rreth asaj se çfarë dialogu përfaqëson. Diplomati britanik tutje është pyetur për atë se çfarë po përpiqet të arrijë Kosova në dialog. Abbott thotë se kërkesat e Kosova janë shumë të qarta.
“Unë mendoj se është shumë e qartë. Prishtina kërkon njohje reciproke. Ata duan mundësinë për të qenë anëtarë të Kombeve të Bashkuara, duan të njihen si shtet i pavarur”, ka thënë ai.
Kur është pyetur për kërkesat e Serbisë në procesin e dialogut, Abbott ka thënë se mbase për to është më mirë të flas ambasadori britanik në Beograd.
“Mendoj se Beogradi ka një sfidë edhe më të madhe, sepse shumë gjëra kanë të bëjnë me atë që dëshiron Serbia e ardhshme. Kolegu im në Beograd është ai që duhet t’i përgjigjet vërtet kësaj. Për mua, ndërsa jam ulur këtu, ka disa pyetje vërtet të mëdha se çfarë marrëdhëniesh dëshiron Serbia me Kosovën, me Bashkimin Evropian, me Mbretërinë e Bashkuar. Në thelb, kjo është ajo për të cilën bëhet fjalë”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, në pyetjen nëse sheh kërcënim nga Shqipëria e Madhe, ai tha se “kërcënimi i Shqipërisë së Madhe është pothuajse i njëjtë me kërcënimin e Serbisë së Madhe“.