Ish-ambasadori i Kosovës në BE dhe NATO dhe zyrtari i PDK-së, Bernard Nikaj, tha në një intervistë për Euronews Albania se çfarë është me rëndësi në këto momente për shtensionimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është lirimi i 3 policëve.
Sipas tij, detajet për ngjarjen mund të konsultohen më vonë, por 3 zyrtarët e Policisë së Kosovës duhet të kthehen te familjarët e tyre.
Ndërsa tha se është e drejtë që Albin Kurti t’i përgjigjet çdo ftese për çfarëdo takimi, Nikaj shtoi se është e paqartë çfarë vendimi mund të marrë kryeministri i Kosovës.
“Zotin Kurti është vështirë që ta racionalizojmë në veprimet e tij, sepse po ta racionalizonim nuk besoj që do të kishim mundur të paramendojmë që një kryeministër i Kosovës vjen në një pozicion të tillë me bashkësinë ndërkombëtare, me BE-në dhe SHBA-në, sepse Kosova ka ndërtuar një histori të koordinimit dhe bashkërendimit me këta aleatë ndërkombëtarë që kanë qenë kyç në lirinë por dhe në shpalljen e pavarësisë të Kosovës, prandaj edhe në këtë moment është e paqartë se çfarë do të bëjë zoti Kurti”, deklaroi Nikaj.