Inspektorati i Punës (IP) për periudhën janar-gusht të këtij viti ka regjistruar pese vdekje në vendin e punës, të shkaktuara si pasoj e kushteve të punës.
Këtë e ka konfirmuar për Ekonomia Online kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi, kështu duke rrëzuar poshtë të dhënat e Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), sipas të cilëve numri i të vdekurve në vendin e punës për këtë vit është 18.
Sipas Nikçit vdekjet e tjera që janë potencuar janë vdekje që kanë ndodhur si pasoj e shkaqeve të tjera, por jo si rezultat i kushteve të punës.
Nikçi tha se gjatë periudhës janar-gusht të vitit 2023, janë bërë 2 mijë 648 inspektime të rregullta, kjo sipas tij, ka bërë që edhe të bie numri i vdekjeve si pasoj e kushteve të punës, nga 15 sa ka qenë vitin e kaluar, në pese gjatë këtyre tetë muajve.
“Numri i inspektimeve që po flasim, janar-gusht 2023 është 2 mijë e 648 inspektime të rregullta. Pa përfshirë këtu ri-inspektimet, inspektimet sipas ankesë së palëve dhe inspektimet të aksidenteve. Nëse marrim në krahasim me vitet paraprake ky numër është dukshëm më i madh dhe si rezultat i rritjes së numrit të inspektimeve, rritjes së numrit të gjobave që kanë për qëllim vetëdijesimin e punëdhënësit, ne deri sa po flasim për këtë vit kemi vetëm pesë vdekje në vendin e punës si pasoj e kushteve të punës. Krahasuar me vitin e kaluar që kemi pasur 15 vdekje në vendin e punës si pasoj e kushteve të punës”, tha ai.
Kryeinspektori i pyetur se pse të dhënat e IP-së nuk korrespondojnë me të dhënat e SPSPK-së, në lidhje me numrin e punëtoreve të vdekur në vendin e punës, ai tha se Inspektorati kur bënë inspektimin aty konstaton nëse vdekja apo lëndimi është bërë si pasoj e kushteve të punës.
Ai potencoi se vdekjet e tjera që mund të jenë raportuar kanë mundur që të jenë për shkaqe të tjera që nuk lidhen me kushtet në vendin e punës.
“Inspektori i Punës në momentin kur inicion dhe fillon inspektimin, ai apo ajo konstaton nëse vdekja apo lëndimi ka ndodhur si pasoj e kushteve të punës. Dhe siç e potencova me këto raporte të konstatuar nga IP-ja për këtë periudhë derisa po flasim tani, janar-gusht të këtij viti kemi pesë vdekje në vendin e punës si pasoj e kushteve të punës”.
“Vdekjet e tjera që mund të potencohen janë vdekjet të cilat kanë ndodhur si pasoj e arrestit kardiak, erërave të forta apo arsyeve të tjera të cilat janë punëtorë që vdekja e tyre ka pësuar jo si rezultat i kushteve të punës”, tha ai.