Kryetari i “Forumit Intelektual Evropa 2030”, Artan Nimani, e ka quajtur cenim të sovranitetit mbi Republikën e Kosovës heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës që kanë pasaporta të Serbisë, ndërsa për këtë vendim fajtor e bën Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, raporton Ekonomia Online.
Nimani ka thënë për Ekonomia Online se ky vendim ka ardhur si pasojë e dështimit të diplomacisë kosovare, teksa vendimin e sheh edhe si anim në raport me dialogun Kosovë-Serbi.
“Parimisht, ne nuk duhet të merremi shumë me vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian sepse kjo është si pasojë e dështimit total të diplomacisë sonë në raport me Bashkimin Evropian, veçmas në kontest të bisedimeve sepse BE-ja Qeverinë e Kosovës nuk e merr fare seriozisht dhe nuk e diskuton as për problemet e brendshme. Ky është një lloj cenimi i sovranitetit mbi Republikën e Kosovës sepse ato dokumentacione thotë se janë qytetarë të qytetit X të Republikës së Serbisë, por megjithatë unë më shumë e fajësoj për problemet tona të brendshme se sa e fajësoj për problemet me Bashkimin Evropian. Ne nuk jemi kundër lëvizjes së lirë të qytetarëve por ata (serbët) sapo filluan të pajisen me dokumente të Kosovës, tash erdh një vendim i tillë i cili në një farë mase të jep me kuptu që edhe BE-ja ka filluar të marrë anë në raport dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Nimani.
Të dëmshëm e ka quajtur edhe heshtjen e Qeverisë Kurti, për të cilën thotë se BE-ja nuk e merr shumë seriozisht.
“Unë mendoj që Qeveria Kurti në plan të parë duhet të ndalojë funksionimin e ‘filmave të metrazhit të shkurtër’ që e bën në Kosovë me X raste dhe të orientohet në diplomaci. Këtu është një dështim total, madje edhe zëvendëskryeministri nuk jep as informacione për veprimet e tilla që do të thotë se Qeveria e Kosovës është komplet ‘out’ dhe Bashkimi Evropian më nuk e sheh as si partner serioz për të negociuar e aq më pak për të vendosur për probleme jo vetëm të serbëve por edhe të qytetarëve tjerë të Republikës së Kosovës”, u shpreh Nimani.