Nimoni: 110 akte normative në shërbim të reformës që kemi premtuar në drejtësi – Rohde e Szunyog thonë se ka ende punë

Prishtinë | 23 Qer 2024 | 08:33 | Nga Natyra Salihaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Ministrinë e Drejtësisë thonë se për tri vjet qeverisje kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për reformën në sistemin e drejtësisë.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, thotë se ka ende punë për t’u bërë në këtë drejtim, ndërsa Tomas Szunyog, ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, tha se një rol kyç e luan bashkëpunimi ndërinstitucional, raporton Ekonomia Online.

“Nuk mund të jesh kurrë i kënaqur. Kur shikoj vendin tim, gjithçka kërkon shumë kohë për t’u zgjidhur, janë edhe çështjet gjyqësore. Kështu mund të përparoni, por përsëri duhet bërë shumë punë”, ka thënë ambasadori Rohde, në një proncim të shkurtër për Ekonomia Online.

Ndërsa, shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, deklaroi se në shumë pika sistemi i drejtësisë në Kosovë ka përparuar, por nevojitet bashkëpunimi ndërmjet institucioneve.

“Ka çështje të cilat padyshim që unë nuk i përcaktoj në asnjë raport, por në të njëjtën kohë disa kanë përparuar, në bashkëpunim me institucionin e BE-së, por edhe me shtetet anëtare”, ka thënë Szunyog për EO.

Ndërsa, në Ministrinë e Drejtësisë thonë se për këto tri vjet qeverisje, kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për reformën në sistemin e drejtësisë.

Genc Nimoni, shef i kabinetit të ministres Albulena Haxhu, ka thënë për Ekonomia Online, se 110 akte normative janë miratuar në shërbim të reformës që e kanë premtuar.

“Për këto tre vjet mund të themi që ka goxha rezultate në kuptimin e objektivave që ne kemi vendosur. Një ndër objektivat apo prioritet tona kryesore ka qenë forcimi i llogaridhënies, përmirësimi i mekanizmave që kanë të bëjnë me llogaridhënie, transparencë ose më mirë më thënë reforma në drejtësi. Në kuadër të reformës në drejtësi, ne tashmë veç kemi filluar, jemi në fazën e finalizimit të shumë nismave. Brenda kësaj periudhe më shumë se trevjeçare ne si Ministri e Drejtësisë shënojmë mbi 110 akte normative të miratuara në dikasterin qeveritar”, ka thënë ai.

Nimoni ka thënë se sa i përket reformave në Këshillin Prokurorial të Kosovës e Sistemin Prokurorial në përgjithësi, janë në fazën finale.

“Jemi në proces të reformës në drejtësi apo ndryshimit të ligjeve përkatëse që kanë të bëjnë me forcimin e mekanizmave ekzistues për forcimin e llogaridhënies dhe transparencës brenda sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial. Por gjithashtu jemi edhe në fazën finale të reformimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, sistemit prokurorial, pastaj gjithashtu edhe në nisma tjera siç është Byroja Shtetërore për verifikimin e konfiskimit të pasurisë së pajustifikuar, pastaj themelimi i Gjykatës Administrative, si dhe funksionalizimi i Gjykatës komerciale që tashmë veçse është themeluar”, ka shtuar tutje Nimoni.

Ministria e Drejtësisë ka marrë kritika të vazhdueshme sa i përket, reformave në drejtësi.

Ditë më parë, nën organizimin e Institutit i Kosovës për Drejtësi, në një tryezë me temën “Progresi i reformës në drejtësi”, kishte publikuar raportin analitik “Reforma në Drejtësi: Arritjet, sfidat dhe rruga përpara”, në të cilin theksonte se nga 40 iniciativa ligjore në kuadër të reformave për drejtësi, rezultatet kanë qenë të pakta.

Të ngjashme