Nis aksioni i pastrimit në tërë Kosovën

Prishtinë | 24 Maj 2017 | 12:38 | Nga

Për të gjashtin vit me radhë, duke filluar nga ora 10:00 ka nisur aksioni i madh “Ta Pastrojmë Kosovën”, ku gjatë ditës pritet të marrin pjesë mbi 50 mijë vullnetarët, të cilët do të angazhohen për pastrimin e rreth 200 deponive ilegale të mbeturinave.

Hapja zyrtare e aksionit të sotëm u bë në një deponi ilegale të mbeturinave, e cila gjendet afër varrezave në lagjen “Arbëria” të kryeqytetit.

Koordinatori i Organizatës “Let’s Do It Kosova”, Luan Hasanaj, ka shprehur shqetësimin e grupit për problemet e mjedisit me të cilat po përballet Kosova.

“Qytetarët duhet të jenë më të përgjegjshëm dhe vetëdijshëm se ata duhet të kujdesen për mjedisin. Po ashtu, institucionet kanë nevojë që të jenë më të vëmendshëmdhe përgjegjshëm karshi kësaj çështje. Po them kështu, sepse këtu ku jemi po të ishin më të vëmendshëm inspektorët dhe Policia gjendja nuk do të ishte kështu”, ka thënë Hasanaj.

Ai u bëri apel të gjitha partive politike që në programet e tyre qeverisëse të kenë prioritet mjedisin.

“Ato duhet të jenë më të angazhuara për rritjen e investimeve në fushën e mjedisit, të ndikojnë tek institucionet për zbatimin e ligjit dhe rregulloreve”, tha më tej Hasanaj.

Ai u nda i kënaqur që mijëra vullnetarë i janë përgjigjur aksionit të 24 majit edhe për këtë vit.

Në anën tjetër, ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, tha se po mbështesin aksionet e Organizatës “Let’s Do It Kosova” për largimin e mbi 200 deponive ilegale të mbeturinave.

“Sot është një ditë që na kujton ngritjen e vetëdijes karshi çështjeve mjedisore. Ruajtja e mjedisit është obligim moral e ligjor për të gjithë”, tha ministri Shala.

Për realizimin e aksioneve të sotme, Forca e Sigurisë së Kosovës ka angazhuar personel dhe makineri, ndërsa u shprehën të gatshëm për përkrahjen e iniciativave të tillanë të mirë të vendit.

Në aksionin e sotëm mori pjesë edhe kryetari i Shoqatës së Personave me Nevoja të Veçanta në Kosovë, Agim Vatovci, i cili tha se persona me aftësi të kufizuara janë të vetëdijshëm për pastrimin e vendit, pasi sipas tij, mbeturinat e hedhura vend e pa vend po shkaktojnë sëmundje kancerogjene.

Aksioni ka nisur edhe në komunat e tjera të Kosovës, duke filluar nga ora 10:00, ndërsa do të vazhdojë edhe gjatë ditës.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme