Nis asfaltimi i rrugës Prelez i Jerlive – Muhoc – Lloshkobare

Prishtinë | 19 Tet 2016 | 13:35 | Nga

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, së bashku me kryetarin e Komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa, zëvendësministrat Hanefi Muharremi dhe Fehmi Mujota, inauguruan fillimin e punimeve në asfaltimin e rrugës Prelez i Jerlive – Muhoc – Lloshkobare.

Ministri Zharku uroi qytetarët e komunës së Ferizajit për këtë projekt dhe projektet e tjera që do të realizohen në komunën e Ferizajt dhe i siguroi ata se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar në përmirësimin e infrastrukturës në të gjithë vendin.

“Sot, jemi bashkë në Ferizaj me kryetarin Sfarqa, me dy zëvendësministrat dhe strukturat e tjera, për inaugurimin e kësaj rruge, Prelez i Jerlive – Muhoc – Lloshkobare. Ky investim i Ministrisë së Infrastrukturës është në vlerë rreth 700,000.00 euro, ka një gjatësi rreth 4 kilometra dhe gjërësi prej 6 metrash. Përveҫ kësaj, ne do të vazhdojmë së shpejti edhe me rrugën tjetër Babush – Tërrn – Luboc – Koshare – Slivovë. Jemi duke bërë zgjerimin e rrugës ”Brahim Ademi” & Driton Islami”, ndërsa në vitin tjetër do të vazhdojmë edhe me shumë projekte të tjera. Qeveria do të vazhdojë të përkrah qytetin e Ferizajit në përmirësimin e infrastrukturës edhe në vitet e tjera”.

Kryetari Sfarqa falënderoi ministrin Zharku për investimet e bëra në këtë komunë nga Ministria e Infrastrukturës.

“Sa herë që fillojnë investime e reja në infrastrukturën e Ferizajt, për qytetarët e kësaj ane dhe për mua si kryetar i Ferizajt është një moment gëzimi. Qeveria e Republikës së Kosovës po tregon një vëmendje më të madhe për qytetin tonë në raport me të gjitha qeverisjet e kaluara. Me investimet e bëra po mundësohet qarkullimi më i mirë i qytetarëve duke ndihmuar në zhvllimin e përgjithshëm të komunës sonë. Kjo rrugë, e cila lidh dy magjistralet është e një rëndësie të veҫantë sepse do të lehtësojë komunikacionin për qytetin tonë”, tha ndër të tjera kryetari Sfarqa.

Ministria e Infrastrukturës do të realizojë edhe projektin e asfaltimit të rrugës Babush – Tërrn – Luboc – Koshare – Slivovë.

Sipas memorandumit për financim të projekteve të nënshkruar nga Ministri Zharku dhe kryetari Sfarqa, në Ferizaj do të realizohen edhe disa projekte tjera që kanë për qëllim rregullimin e infrastrukturës.
4

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme