Nis “Java e Gruas”, kërkohet fuqizimi i rolit të gruas

Prishtinë | 20 Mar 2017 | 13:27 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zëri dhe roli i gruas duhet të fuqizohet çdo ditë në shoqëri, politikë dhe ekonomi, edhe pse barazia dhe përfshirja nuk arrihen lehtë.

Kështu u tha sot në hapjen solemne të “Java e Gruas”, ku merrnin pjesë presidenti i vendit, Hashim Thaçi; ambasadori ShBA-së në Prishtinë, Greg Delawie, e personalitete të tjera.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalën e tij tha se Java e Gruas në Kosovë është një pikë kulmore në kalendarin e politikëbërjes në fushën e barazisë gjinore dhe përfaqësimit të grave në skenën politike kosovare.

“Java e Gruas është një nismë fisnike dhe e duhur, sepse ky aktivitet bashkon përfaqësues nga të gjitha subjektet politike, nga shoqëria dhe sektori i biznesit, si dhe tashmë është e njohur si një platformë ku pjesëmarrësit tejkalojnë përkatësinë partiake, etnike apo bindjet politike dhe angazhohen së bashku për trajtimin e çështjeve me interes për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi theksoi se temat që mbulohen këtë javë janë të rëndësisë esenciale për të shtyrë progresin e përfaqësimit gjinorë dhe barazisë gjinore, prej ndarjes së buxhetit që reflekton përgjegjshëm barazinë gjinore dhe zhvillimin e programeve për mbështetjen e grave ndërmarrëse, e deri tek reformat në drejtësi që dënojnë kriminelët mburravecë që atakojnë gruan si në familje, ashtu edhe në vend të punës.

Në frymën e një diskutimi mbarëshoqëror, presidenti Thaçi ka ofruar edhe disa pika të diskutimit që mund të jenë me interes në këtë forum, por edhe në aktivitetet e tjera të Javës së Gruas.

Duke folur për reformën elektorale dhe organizimin e zgjedhjeve, presidenti Thaçi ka thënë se nuk mund t’i mbyllim sytë para faktit që brenda listave ka akuza të mëdha për ndikime dhe për manipulime, ku viktimat më të mëdha janë pikërisht femrat.

“Nuk mjafton vetëm një grua kryetare dhe nuk mjaftojnë vetëm 30 për qind të karrigeve obligative, sepse potenciali i gruas kosovare është shumë më i madh”, ka thënë ai.

Presidenti ka folur edhe për pjesëmarrjen e grave në sektorin e sigurisë dhe për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës.

“Edhe këtu mendoj se zëri i gruas është i nevojshëm. Sektori i sigurisë nuk është i plotë pa pasur të përfshirë edhe zërin e gruas. Janë nënat e Kosovës ato që kërkojnë siguri për djemtë e tyre, si dhe janë nënat dhe gratë kosovare, pavarësisht etnive, ato që duhet të jenë kontribuuese në arkitekturën e sigurisë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Gjithashtu, presidenti Thaçi ka thënë se pjesëmarrja e grave në tregun e punës është ende papranueshëm e ultë.

“Shumë prej tyre nuk mund të gjejnë punë, ndërsa një pjesë e madhe janë edhe në presion të papranueshëm që të fokusohen në punë shtëpiake nga familja dhe rrethi i tyre”, u shpreh presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi e ka falënderuar USAID-in dhe Ambasadën Amerikane për ndihmën e madhe që ka dhënë në punësimin e grave, por ka thënë se politika kosovare duhet të bëjë edhe më shumë në këtë fushë.

“I ftoj gratë deputete që të jenë insistuese që ligjet dhe reformat fiskale dhe ekonomike ta kenë obligative buxhetimin gjinorë”, ka shtuar presidenti Thaçi.

Delawie kërkon pjesëmarrje më e madhe të grave në politikë e ekonomi

Ambasadori ShBA-së në Prishtinë, Greg Delawie, në fjalën e tij, tha se pjesëmarrja më e madhe e grave në shoqërinë civile të grave, në politikë, ekonomi qon drejt një prosperitet të sigurisë më të madhe.

“E dimë se kur gratë fuqizohen për të marrë pjesë pa frikën e dhunës apo ndëshkimit, ato marrin pjesë më me efikasitet në bashkësitë e tyre. E kur ato kanë një zë më të fuqishëm, atëherë vetëm institucionet mund të jenë më të përgjegjshme ndaj nevojave të komunitetit në tërësi”, tha ai.

“Besoj se pika qendrore e këtij nocioni të përfshirjes dhe fuqizimit është ideja e pranimit që zëri i juaj të dëgjohet…Fuqizimi, barazia dhe përfshirja nuk arrihen lehtë, nuk mbërrihen brenda natës”, theksoi Delawie.

Jahjaga: Shoqëria kosovare gradualisht po vetëdijesohet për rolin e gruas

Atifete Jahjaga, ish-presidente e Kosovës, duke iu drejtuar pjesëmarrësve në shënimin e “Javës së Gruas” ka thënë se gradualisht si shoqëri po vetëdijësohemi për rolin dhe kontributin e grave.

Sipas saj, arritjet janë të shumta, por ka ende punë për t’u bërë.

“Sipas të dhënave, 60% e të diplomuarve në universitetet në Kosovë janë femra. Por, vetëm 21% e femrave kërkojnë punë krahasuar me 61% të mashkujve.  Ky raport është goxha shqetësues edhe kur bëhet fjalë për pozita të larta në sektorin publik, menaxhment, apo në legislativ ku vetëm një në gjashtë persona që kanë pozita udhëheqëse në këto fusha është grua. Mosbarazi edhe më e madhe ekziston në përbërjen e qeverisë së Kosovës, ku vetëm 10% e ministrive udhëhiqen nga gratë”.

“Pjesëmarrja e grave në sektorin e sigurisë është, po ashtu, tejet e ulët. Vetëm 14% e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës janë gra, ndërsa vetëm 9% e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë femra. Këto shifra flasin për një nevojë shumë të madhe për t’i fuqizuar më shumë gratë në vendin tonë, sepse gratë historikisht kanë qenë pjesë e rëndësishme e procesit shtet-bërës në Kosovë.  Ne nuk do të heqim dorë dhe ju ftoj që ky të jetë një zotim.  Ne jemi ato që duhet t’ua mbushim mendjen që duhet të kërkojnë atë që u takon — barazi sociale, politike dhe ekonomike, pa dallim gjinie. Unë, flas nga përvoja personale kur them se zgjedhja e një presidente femër, e një kryetare të komunës, e një ministre, e një ambasadore, e një udhëheqëse të një institucioni, e ka ndryshuar qasjen se si vajzat e reja sot e shohin rolin e tyre në ndërtimin e të ardhmes së vendit tonë.  Ne krenohemi dhe e duartrokasim suksesin e ambasadoreve tona të nderit, Majlinda, Rita, Dua, Era, Nora, që po e bëjnë Kosovën kampione”, ka theksuar Jahjaga.

 

 

Të ngjashme