Koalicioni i 7 organizatave joqeveritare lansuan sot “Javën Kundër Korrupsionit”, gjatë së cilës do të organizohen aktivitete, do të prezantohen raste konkrete të korrupsionit dhe dështimit të luftimit të korrupsionit nga individët dhe institucionet e caktuara.
Pjesë e koalicionit të OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit 2017” janë: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP, Iniciativa për Progres (INPO), Organizata Çohu, Instituti KIPRED dhe Instituti Columbus. Aktivitetet mbështeten nga Ambasada Amerikane.
Betim Musliu, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, në një konferencë për medie, tregoi se java do të jetë e mbushur me konferenca, tryeza, performanca të aktivistëve të koalicionit, në të cilat do të trajtohen emra dhe raste konkrete të përgjegjësve të dyshuar për përfshirje në aktivitete korruptive, të cilët gëzojnë “imunitet” apo për të cilat raste organet e ndjekjes kanë dështuar t’i trajtojnë si rezultat i ndikimit politik apo grupeve të interesit.
“Risi, sivjet, është se do të kemi raste konkrete, duke kërkuar përgjegjësi konkrete nga individët të cilët nuk kanë shënuar përparim në fushën e korrupsionit”, tha Musliu, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se aktivitetet do të përqendrohen në të gjithë sektorët, si në sistemin e drejtësisë, të shëndetësisë, arsim dhe ekonomi.
Gjatë kësaj jave, IKD-ja do të prezantojë hulumtimin e dosjes së manipuluar, sikur tha ai, të kryeprokurit të Shtetit, Aleksandër Lumezi. Po ashtu, do të publikohet një hulumtim për aferën e ashtuquajtur “Pronto” me titullin “Pronto kah je?”.