Aktivistët e rinj të misionit të OSBE-së në Prishtinë dhe Beograd kanë nisur aktivitetin e quajtur “Karvani i Dialogut”, i cili do të zgjasë deri më 14 korrik.
Karvani organizohet nga Rrjeti i të Diplomuarave në Akademinë e Dialogut për Gra të Reja, pjesë e Iniciativës “Follow Us” (Na ndiqni) e përkrahur nga OSBE-ja dhe i dedikohet të rinjve.
Për një javë, Karvani do të udhëtojë nëpër qytete të ndryshme me pjesëtaret e Iniciativës dhe do të jetë nikoqir i punëtorive, debateve, dhe një ekspozite me fotografi për rolin e grave në shoqëri.
“Qëllimi jonë është të fuqizojmë gratë në të dy shoqëritë. Nuk mund të ketë dialog të qëndrueshëm – për çfarëdo teme – pa përfshirjen e të gjitha segmenteve të shoqërisë, dhe gratë janë pjesë e rëndësishme e saj. Gratë mund dhe duhet të kontribuojnë, kudo që munden”, tha Ambasadori Jan Braathu, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Nga ana e tij, shefi i misionit të OSBE-së në Serbi, Andrea Orizio theksoi se porosia kryesore e Karvanit të Dialogut është të nënvizojë rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejt në mes të rinjve dhe të tregojë se të rinjtë nga Beogradi dhe Prishtina kanë shumë më shumë gjëra të përbashkëta se sa që mendojnë, transmeton Klan Kosova.