Sot zhvilloi punimet në ditën e parë të saj, Konferenca e 12-të ndërkombëtare e Rrjetit të Këshillave Gjyqësorë të shteteve anëtare të Rrjetit Ballkanik dhe Euro-Mesdhetar të Këshillave Gjyqësorë, që po mbahet në Burgas të Bullgarisë.
E organizuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor i Bulgarisë, në këtë Konferencë ishin të pranishëm përfaqësues të sistemit gjyqësor të Republikës së Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë, të Hungarisë, Italisë, Bullgarisë, Rumanisë, Turqisë, Bosnje Hercegovinës dhe Moldavisë.
Konferenca paradite nisi punimet me temën “Paanshmëria dhe Kodi i Etikës dhe e ardhmja e gjyqësorit”, për të vazhduar pastaj me temën e dytë, “Roli i Këshillave të Gjyqësorit në luftën kundër terrorizmit”
Të pranishmëve në konferencë mirëseardhje iu uroj, Dimitar Uzunov – Përfaqësues i Këshillit të Lartë Gjyqësor të Bullgarisë. Uzunov organizimin e këtij aktiviteti në Bulgari e cilësonte si një rast shumë të mirë për të shkëmbyer ide dhe përvoja pozitive që i shërbejnë praktikave gjyqësore në tërë rajonin.
Në vazhdim, Gjin Gjoni, President i Rrjetit Ballkanik dhe Euro-Mesdhetar të Këshillave Gjyqësorë, njëherë edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë së Shqipërisë (KLD), hapi punimet e konferencës dhe foli për qëllimet e temave të cilat do të zhvillohen në këtë takim dy ditor.
“Roli i Rrjetit duhet të forcohet, të jetë në mbrojtje të pavarësisë së gjyqësorit. Rrjeti duhet të marrë në pozicion pro aktiv kundër interferimit, apo pasioneve të pushtetit ekzekutiv, apo mediave e sidomos në kuadër të reformave gjyqësore. Bashkëpunimi i anëtarëve të Rrjetit duhet të përmirësohet në forcimin e luftës së përbashkët kundër terrorizmit’’- tha mes tjerash, Gjin Gjoni president i Rrjetit.
Pas pauzës së parë, në këtë konferencë delegacioni nga Serbia protestoi që Kosova të prezantohet me fusnotë. Mirëpo, Delegacioni nga Kosova nuk e pranoi një gjë të tillë, kurse delegacioni serb u largua nga konferenca në shenjë proteste.
Përndryshe, Këshilli Gjyqësor i Serbisë nuk është akoma anëtar i këtij Rrjeti, nesër pritet të votohet.
“Paanësia dhe Kodi i Etikës dhe e ardhmja e gjyqësorit” ishte fokusi i temës paradite në këtë konferencë, ku të gjithë Këshillat e pranishëm e prezantuan Kodin e Etikës të vendin e tyre. Roli i Kodit të Etikës në sistemin gjyqësor u cilësua si një faktor i rëndësishëm për rritjen e besimit të publikut ne sistemin gjyqësor. Gjyqtaret, në përmbushje të funksioneve të tyre, duhet të veprojnë gjithmonë në mënyrë që të ruajnë dinjitetin, përgjegjësinë, pavarësinë dhe paanësinë e organeve gjyqësore. Etika përfaqëson standardet më të larta, të cilat gjyqtarët veçanërisht duhet të përpiqen të ruajnë, u tha në mes tjerash nga folësit e konferencës.
Ndërsa, kryesuesi i KGjK-së, Nehat Idrizi në mes tjerash citoi:
‘’Këshillat gjyqësore duhet të aftësohen për të nxitur dhe mbështetur ato politika që i shërbejnë mbrojtjes, zhvillimit dhe konsolidimit të pushtetit gjyqësor, në pajtim me standardet ndërkombëtare të cilat i japin mundësi për vet organizim, vet menaxhim dhe vet disiplinim sa me efikas, me qëllim për të përfaqësuar dhe mbrojtur me dinjitet interesat e gjyqësorit. Institucionalizimin i këtij rrjeti për vendet anëtare e cilësojmë si një ngjarje të rëndësishme, duke qenë se është një strukturë me natyrë ndërkombëtare e cila do të mbështesë dhe promovojë parimet themelore të pavarësisë së gjyqësorit dhe efiçencës së tij’’.
Ndërsa sa i përket temës “Paanësia dhe Kodi i Etikës dhe e ardhmja e gjyqësorit”, Kosova në fjalimin e saj, u sqaroi të pranishmëve se këtë çështje e ka të rregulluar me Kodin e Etikës profesionale për gjyqtarë, e cila në mënyrë taksative i parasheh kufizimet të cilat kanë të bëjnë me punën dhe profesionin e gjyqtarit.
Po ashtu, numëroi aktivitetet në të cilat gjyqtari mund të merr pjesë, ashtu siç e parasheh ky Kod, si dhe aktivitetet në të cilat gjyqtarit nuk i lejohet të marrë pjesë. Në mes tjerash, u prezantua edhe Rregullorja për Përcaktimin e Pahijshme.
Nga të gjithë folësit, Këshillat Gjyqësorë janë inkurajuar që të lehtësojë bashkëpunimin e këshillave gjyqësore të vendeve anëtarë si dhe të krijojnë dhe elaborojnë qasje, apo praktika të ngjashme ndaj problemeve që kanë sistemet gjyqësore në vendet respektive duke qenë se është një strukturë me natyrë ndërkombëtare e cila do te mbështesë dhe promovoje parimet themelore të pavarësisë së gjyqësorit dhe efiçencës se tij.