Nis kursi fillestar i kroatishtes në UP, planifikohet hapja e një kursi të shqipes në Universitetin e Zagrebit

Prishtinë | 05 Nën 2018 | 13:09 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nga sot në Universitetin e Prishtinës, gjegjësisht në Fakultetin e Filologjisë, fillon kursi “Gjuhë Kroate 1”, të cilin do ta mbajë profesoresha Ivançica Bankoviç-Mandiç nga Universiteti i Zagrebit.

Në hapjen e këtij kursi mori pjesë edhe ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq, e cila tha se ky bashkëpunim ndërmjet Universitetit të Zagrebit dhe Universitetit të Prishtinës ka rëndësi për raportet e Kosovës me Kroacinë, raporton Ekonomia Online.

“Jam shumë e lumtur të jem këtu sot. Besoj se jeni studentë të Fakultetit të Filologjisë. Ky bashkëpunim është i rëndësishëm për raportet e Kosovës me Kroacinë sepse ju do të keni mundësinë të mësoni gjuhën kroate. Shpejt do të kemi gjuhën shqipe edhe në Universitetin e Zagrebit. Gjuha është mjeti i parë për ta njohur kulturën e fqinjëve. Do ta keni mundësinë të mësoni më shumë sesa vetëm gjuhën kroate”.

Kapitanoviq tha se Kroacia e ka mbështetur gjithmonë Kosovën.

“Tani do ta keni mundësinë ta mësoni kroatishten dhe pse jo të përfundoni ndonjë specializim në Kroaci. Do të keni mundësinë ta kuptoni edhe gjuhën e shteteve tjera fqinje. Kroacia e mbështet Kosovën që një kohë të gjatë dhe kjo mënyrë për shembull ndihmon të zhvillojë bashkëpunime të tjera”.

Dekanja e Fakultetit të Filologjisë, Linditë Sejdiu-Rugova, tha se ideja për mbajtjen e një kursi të tillë është e kamotshme, raporton EO.

“Jemi shumë të lumtur që jemi mbledhur për një ditë të veçantë. Po fillon një kurs i gjuhës kroate për herë të parë në Universitetin e Prishtinës. Ideja e këtij investimi është e kamotshme. I falënderoj të gjithë ata që na kanë ndihmuar që kjo ide të realizohet, duke filluar nga ish-profesorët tanë dhe nga një prezencë e madhe e komunitetit shqiptar në Kroaci. Hapja e kursit të kroatishtes në UP nënkupton edhe hapjen e një kursi të shqipes në Universitetin e Zagrebit”.

Sipas dekanes së Fakultetit të Filologjisë, kursi do të jetë i nivelit të parë.

“Kursi do të jetë fillestar dhe bashkë me profesoreshën studentët do të merren vesh për detaje. Shpresojmë që ky kurs të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm”.

Profesoresha Ivançica Bankoviç-Mandiç tha se ndihet e mirëpritur në Prishtinë dhe krenare që do të jetë mësimdhënëse për studentët e Universitetit të Prishtinës.

“Jam e lumtur dhe krenare që jam këtu. Ftesa nga fakulteti juaj dhe dëshira juaj e madhe për të mësuar një gjuhë sllave ishte shumë sfiduese për mua që të vij këtu. Unë erdha dje dhe ndihem e mirëpritur dhe shpresoj se do të jetë  takim i mirë me ju dhe jam e lumtur të punoj me ju. Kam nderin të vazhdoj diçka që ka filluar vite më parë. Falemnderit për ftesën dhe jam gati të filloj”.

Të ngjashme