Sot filloi ngjarja vjetore “Çiklizmi rreth Kosovës për Fëmijët 2017”, ngjarje kjo që organizohet për vitin e 4-të radhazi. Sfida edhe për këtë vit do të jetë çiklizmi rreth e rreth Kosovës për tre ditë duke u nisur nga Prishtina për në Gjilan, Ferizaj, Prevallë, Prizren, Gjakovë, Valbonë, Junik, Pejë, e deri në kthimin në Prishtinë në një rrugëtim prej mbi 500 kilometrash me mbi 5000 metra ngjitje.
Rreth 30 çiklistë nisën rrugëtimin e tyre sot dhe do të kthehen të dielën me 4 qershor rreth orës 18.00 në Prishtinë. Një ngjarje përmbyllëse do të mbahet në “De Rada” duke filluar nga ora 19.00 të dielën mbrëma të 4 qershorit, që përfshin argëtim, muzikë, ushqim dhe aktivitete të ndryshme për familjarë, me ç’rast ftohen të gjithë qytetarët e interesuar të bashkohen në pritjen e çiklistëve.
Albion Hadri, njëri nga organizatorët e ngjarjes dhe çiklist shprehet se “Jemi shumë të kënaqur me numrin e pjesëmarrësve në këtë udhëtim çiklistësh. Kjo nuk është garë por aktivitet humanitar. Andaj lusim edhe kalimtarët dhe vozitësit e tjerë që na shohin gjatë udhëtimit këto ditë të kenë durimin dhe t’na mirëkuptojnë derisa kalojmë nëpër qytetet dhe fshatrat përreth Kosovës.”
“Çiklizmi rreth Kosovës për Fëmijët” është një ngjarje bëmirëse vjetore e çiklizmit përreth Kosovës për të ngritur fonde për fondacionin humanitar “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë.” Kjo ngjarje u realizua me sukses në vitiet 2014, 2015 dhe 2016 dhe po rritet çdo vit. Qëllimi i sivjetshëm është të sigurohen fonde që do të blejnë analizuesin CRP për spitalin e Pejës, pajisje kjo që ndihmon në kryerjen e analizave të gjakut tek foshnjat e lindura parakohes pranë inkubatorit.