Në Arabinë Saudite ka nisur pelegrinazhi i përvitshëm i Haxhit, ku pritet të mbrrijë dy milionë myslimanë.
Eventit të rëndësishëm i bashkohen këtë radhë edhe pelegrinët nga Irani, autoritetet e të cilit e kanë bojkotuar ritualin këto vitet e fundit, që prej ikjes së rrëmujshme të vitit 2015, kur shtyrja e njerëzve në turmën gjigante të krijuar u kushtoi jetën qindra iranianëve.
Këtë herë Haxhi nis sot dhe përfundon në datën 24 të po këtij muaji.
I konsideruar si një prej 5 shtyllave të Islamit, ai është një detyrim që çdo mysliman duhet ta përmbushë të paktën një herë në jetë.
Ditë më parë u njoftua se, mes besimtarëve pjesëmarrës do të jenë edhe 1.000 të afërm të policëve dhe ushtarëve egjiptianë të rënë në krye të detyrës.
Ata konsiderohen pjesë e programit të të ftuarve specialë të Mbretit saudit Salman, “si shenjë mirënjohjeje për rolin e njerëzve të tyre të afërm në përballjen me terrorizmin, të keqen dhe shtypjen”, thuhet në deklaratën e lëshuar prej autoriteteve egjiptiane. Për mjaft pelegrinë, kjo është hera e parë që largohen nga shtëpia, duke i hyrë një rrugëtimi dhe sakrifice të kësaj natyre, në temperatura që kapërcejnë 40 gradë Celsius.
Këtë vit, sauditët kanë lançuar aplikacione, me të cilat synojnë t’u vijnë në ndihmë pelegrinëve me të gjitha procedurat, duke nisur nga udhëtimi e deri te kujdesi shëndetësor.