Nis seanca konstituive

Prishtinë | 11 Shk 2026 | 17:30 | Nga Ekonomia Online

Ka filluar seanca konstituive e legjislaturës së dhjetë e Kuvendit të Kosovës, ku pritet të zgjidhen drejtuesit e rinj të institucionit ligjvënës, raporton Ekonomia Online.

Sipas rregullores së Kuvendit, rendi i ditës përmban katër pika kryesore dhe Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve.

Seanca do të zhvillohet sipas këtij rendi:

Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve;

Betimi i deputetëve;

Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit;

Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.

Sa i përket nënkryetarëve, tre prej tyre propozohen nga grupet më të mëdha parlamentare, ndërsa dy të tjerë nga komunitetet joshumicë – një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet e tjera.

Gjykata Kushtetuese, ditë më parë, i ka dhënë të drejtë të pakufizuar Listës Serbe, si shumicë brenda komunitetit serb, që të propozojë kandidatin për nënkryetar të Kuvendit edhe pas shterimit të të gjithë emrave të deputetëve të saj.

Sipas kryetarit të deritashëm të Kuvendit, Dimal Basha, këtë herë ekziston dakordim mes partive që votimi për nënkryetarët të bëhet në pako.

Seanca konstituive do të drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga deputeti më i ri. Në këtë seancë nuk parashihet debat parlamentar.

Të ngjashme