Kreu i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, së bashku me nënkryetarin Nuredin Lushtaku, si dhe përfaqësues të KEDS-it, kanë marrë pjesë në fillimin e projektit të shtrirjes së rrjetit të ri nëntokësor elektrik në lagjen 3 dhe 4 të qytetit.
“S’ka më shtylla të improvizuara të energjisë në fshatra, lagjet 3 dhe 4 të qytetit tonë. Shumë shpejt do të bëhen me rrjet të ri elektrik nëntokësor, duke larguar shtyllat e betonit dhe kabllot e shumta, të cilat i kanë dhënë pamje jo të mirë qytetit”, ka thënë Bekim Jashari.
Ai bëri të ditur se ky projekt do të kushtojë 8 milionë euro dhe parasheh instalimin e rrjetit të ri elektrik edhe në disa fshatra, për të mundësuar kështu stabilitet energjetik në komunën e Skenderajt.
Bekim Jashari po garon edhe për një mandat si kryetar i Skenderajt, në zgjedhjet komunale të 17 tetorit 2021.