Turneu i tenisit US Open 2020 pritet të nisë sot në Nju Jork, ndërsa favorit për të fituar titullin e katërt në kategorinë e meshkujve është tenisti serb, Novak Gjokoviq.
Organizatorët paralajmëruan se edicioni i 140-të i turneut do të jetë ndryshe nga secili në histori.
Open do të zhvillohet pa spektatorë në stadiume, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Pavarësisht masave paraprake, tenisti francez, Benoit Paire, ka dalë pozitiv në testin për koronavirus në prag të nisjes së turneut dhe është tërhequr.
Turne të tjera të mëdha, si Wimbledon, janë anuluar ose shtyrë, për shkak të pandemisë.
Por, US Open ka dalë me një protokoll, që përfshin vendosjen e maskave kur lojtarët lëvizin nëpër terren dhe kërkesat për dezinfektim.
Tenisti numër një në botë, Gjokoviq, do të luajë në një nga ndeshjet e sotme.
Ai nuk do të përballet me asnjërin nga dy lojtarët e tjerë kryesorë meshkuj, Rafael Nadal, kampion i vitit të kaluar, dhe Roger Federer.
Të dy ata kanë zgjedhur të mos luajnë në turneun e këtij viti.
Fitorja në Nju Jork do t’i jepte Gjokoviqit grand-slamin e 18-të.
Në kategorinë e grave, Serena Williams synon të fitojë grand-slamin e 24-t, pasi shumë yje të tjera, si Ash Barty nga Australia dhe Simona Halep nga Rumania, kanë zgjedhur të mos marrin pjesë në turne.