Ashtu siç është paralajmëruar në orën 10:00 ka nisur procesi i votimit për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Për këtë post ka vetëm një kandidat. Është Albin Kurti ai që synon të marrë pas tre vjetësh përsëri timonin e partisë.
Në fletëvotimin për kryetar, anëtarët e Vetëvendosjes mund të zgjedhin mes opsioneve, për, kundër dhe abstenim.
Në Prishtinë janë 26 pika votimi që do të jenë të hapura.
Në qendrën në Prishtinë në ora 10:00 kanë votuar votuesit e parë, në të cilën kanë të drejtë vote rreth 300 anëtarë.
Shpend Venhari, ushtrues detyre i kryetarit të qendrës, ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet që procesi të shkojë në rregull se materiali është shpërndarë nëpër të gjitha pikat, siç është paraparë.
Poashtu, Hysen Durmishi nga Lëvizja Vetvendosje pasi që hedhi votën e tij bëri apel të gjithë aktivistëvre që ta kryejnë obligimin e tyre dhe të dalin në mënyrë masive për të votuar.
“Unë sapo e shfrytëzova të drejtën time për të votuar në këtë proces zgjedhor dhe i ftoj të gjithë aktivistët dhe anëtarët e Vetëvendosjes që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre dhe të dalin në mënyrë sa më masive të votojnë që ta zgjedhim kryetarin e VV-së në të gjitha strukturat e Lëvizjes që dalin prej këtij procesi zgjedhor”, ka thënë Durmishi.
Ai tha se prej kohës kur janë shpallur zgjedhjet e brendshme në Lëvizjen Vetvendosje puna nuk është ndalur asnjëherë.
“Natyrisht që ne nuk e kemi ndal punën në asnjë moment si LVV, tash jemi në procesin zgjedhor, platformën politike të cilën e ka prezantuar kandidati pas përufndimit të këtij procesi zgjedhor besoj që së bashku me strukturat tjera do të dalim prej këtij procesi zgjedhor”, shtoi ai.
“Do ta vazhdojmë rritjen edhe më të madhe të VV-së në gjithë territorin e Kosovës. Ashtu siç jemi subjekti i parë politik të rritemi dhe të shtrihemi edhe gjithkund në Kosovë ku ende nuk kemi struktura tona”, pohoi Durmishi.