Një rrugëtim i ri dhe unik i pret nxënësit e shkollave të mesme të UBT-së, të cilët në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, zyrtarisht kanë nisur vitin e ri shkollor 2022/2023, duke i besuar kështu rrugëtimin e tyre një institucioni serioz të arsimit siç është UBT.
Presidenti i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka uruar të gjithë nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor, duke u ofruar atyre mbështetjen e plotë të të gjithë stafit akademik e profesional të UBT-së, si dhe duke u ofruar kushtet më moderne me teknologjitë më të reja dhe më inovative të kohës.
“Ne kemi menduar që ka nevojë për një qasje të re të një shkolle moderne, e cila i përafrohet nevojave dhe kërkesave të rinisë, dhe mendoj që kemi marr një hap të tillë për të krijuar një shkollë që i duhet Kosovës. Nxënësit tanë po prezantojnë Kosovën në garat e robotikës në botë, ku do të marrin pjesë rreth 190 shtete dhe në mesin e tyre janë edhe nxënësit e UBT-së. Paralelisht kemi krijuar edhe partneritete me shkollat botërore që t’ju krijojmë mundësi që të mësoni nga kurrikulat e bazuara në sistemet e arsimit në Evropë dhe Amerikë, që ju gjatë rrugëtimit të keni mundësi t’i plotësoni edhe testet ndërkombëtare, të cilat mandej ju hapin rrugë në çfarëdo shkolle apo universiteti”, ka thënë presidenti Hajrizi.
Drejtori i Departamentit për Shërbime dhe Produkte Profesionale në UBT, Prof. Dr. Besnik Skenderi i ka falënderuar prindërit dhe nxënësit për besimin ndaj UBT-së, duke iu dëshiruar mbarësi gjatë këtij viti shkollor.
“Së pari ju falënderohemi prindërve që na kanë besuar dhe u kanë mundësuar fëmijëve të bëhen pjesë e UBT-së. Kur po i shoh nxënësit, po i shoh kolegët tanë të ardhshëm, të cilët do të punojnë jo vetëm në UBT, por edhe do të jenë ardhmëria e vendit tonë”, është shprehur drejtori Skenderi.
Duke iu uruar vitin e ri shkollor, drejtoresha e Shkollave të Mesme në UBT, Hajrije Devedaku, ka theksuar nevojën e bashkëpunimit për të sjellë rezultate sa më të mira gjatë këtij procesi arsimor.
“Ne do të bëjmë përpjekje që ta bëjmë të veçantë çdo ditë të mësimit, çdo ditë të shkollimit tuaj në UBT. Ju tashmë e dini që UBT është shtëpi e madhe, krejt çka pritet prej nesh është të shfrytëzojmë të gjitha potencialet që kemi dhe mundësitë që ofrohen. Do të mundohemi ta bëjmë mësimdhënien sa më kreative dhe më atraktive në interes të zhvillimit tuaj profesional”, ka thënë Devedaku.
Nxënësit e Shkollës së Mesme të Mjekësisë dhe të Gjimnazit UBT, vazhduan vizitën e tyre në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, për të parë nga afër laboratorët e shumtë që janë pjesë e infrastrukturës moderne të UBT-së.