Nishani: Projekti i Mini-Schengenit provokim i destabilitetit rajonal

Prishtinë | 21 Dhj 2019 | 15:43 | Nga Ekonomia Online

Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, e ka quajtur projekt të provokimit të destabilitetit rajonal, projektin e “Mini-Schengenit”.

Ai përmes një statusi në Facebook ka shkruar se pas dështimit të projektit luftënxitës të ndarjes së territorit të Kosovës mbi baza etnike, projekt i hartuar dhe synuar nga qeveria e Serbisë dhe mbështetur nga qeveria e rilindësve në Shqipëri, tashmë një projekt tjetër i provokimit të destabilitetit rajonal ka dalë në skenë.

“I ashtuquajturi, jo pa qëllimin e mbrapshtë “minishengeni ballkanik”, ka shkruar ai.

Ai thotë se ky emër është vënë për ta fshehur të vërtetën e kësaj iniciative.

“Ky projekt jo vetëm që nuk ka asgjë të përbashkët me platformën e Shengenit Evropian, por ajo është thjesht një lëvizje politike Vuçiç-Rama. Shengeni evropian si koncept politik ka në themel të tij lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. Serbia dhe serbet e Bosnje & Herzegovinës nuk i njohin, nuk i pranojnë e nuk i lejojnë fare dokumentet shtetërore të njerëzve dhe mallrave të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas Nishanit, koncepti real i Shengenit ngrihet mbi kolonat e integrimit ekonomik, integrimit kulturor dhe sigurisë së përbashkët.

E, sipas tij, po t’i shohim këto kolona në kontekstin e trios së NISHI-t do të kuptojmë fare mirë se “shengeni ballkanik” është një fake news, është një shpifje politike për të fshehur synimin real që minon situatën e stabilitetit në rajon.

Ai thotë se bashkëpunimi ekonomik midis vendeve të rajonit është i rregulluar përmes CEFTA-s.

“E pranuar, mbështetur dhe kordinuar me Bashkimin Evropian. Përse u dashkërka të sajohet një shpikje e re ? Përveçse të synohet asgjësimi ‘de facto’ i CEFTA-s e bashkë me të dhe përfshirjen e Kosovës në të.
‘Shengeni Ballkanik’ apo ‘Nishi Serbomadh’ duket se synon detin shqiptar ‘free of charge’, madje duke minuar ekonominë edhe të Kosovës. Nëse do të flasim për integrimin kulturorë, kjo nismë është mashtrimi më i madh. Ka fakte pafund për ta denoncuar këtë fake story”, thotë ai.

Ai thotë se prej vitesh Serbia refuzon njohjen e diplomave shqiptare të banorëve shqiptarë në Luginën e Preshevës.

Sot e kësaj dite, sipas Niashanit, kryeministri i Shqipërisë as nuk nxihet e as nuk skuqet që gënjeu paturpësisht përpara 5 vitesh për gjoja arritjen e marrëveshjes me Vuçiqin për diplomat shqiptare.
Imagjinoni tani integrimin kulturor të ofruar nga “Nishi Ballkanik”.

“Po të mendojmë pastaj çështjen e SIGURISE, imagjinoni se çfarë produkti na jep Vuçiq-Rama teksa njëri ka Rusinë ulur këmbëkryq në Nish dhe tjetri ka në qafë çelësin e NATO-s për Shqipërinë. Nga analiza e tre prej kolonave kryesore të asaj çka është filozofia, fryma dhe struktura e Shengenit, duket qartë se platforma politike Vuçiq-Rama nuk është gjë tjetër veçse një fasadë që fsheh qëllimin dhe synimin e vërtetë të iniciativës së Nishit”, ka thënë ai.
 

Sipas tij, ky projekt lansohet dhe behet subjekt i politikës rajonale në një kohë kur Serbia jo vetëm refuzon njohjen ndaj Kosovës, jo vetëm që përdor lidhjet, lobimet dhe shërbimet e saja financiare dhe ekonomike për dëmtimin e shtetit të Kosovës si dhe bllokimin e saj nga aleatët e Serbisë në arenën ndërkombëtare, por tashmë po tenton të ndërtojë një fasadë fake me synimin e qartë të zhbërjes të të gjitha proceseve rajonale ku Kosova tashmë është e përfshirë dhe me objektivin final rikthimin e gjendjes para pavarësisë, në kuptimin politik”, ka shkruar tutje ai.

Sipas tij, minimi i shtetit të Kosovës dhe tentativa për të rikthyer raportet e para pavarësisë së saj kanë një dhe vetëm një impakt rajonal. Destabilitet dhe izolim të rajonit.

Ai thotë se askush në botën shqiptare nuk është kundër stabilizimit dhe pajtimit të marrëdhënieve me Serbinë, derisa shton se Serbia është një vend dhe aktor në rajonin tonë.

“Shqiptarët jo vetëm janë të prirë drejt stabilitetit, paqes dhe bashkëpunimit por ato janë në interesat strategjike të shqiptarëve. Kjo nuk është as e fshehtë dhe as sekret. Por shqiptarët nuk mund të keqpërdoren më si kaçube maskimi për platforma destabilizimi dhe provokimi antiperëndim.
Rajoni ynë ka nevojë jetësore për zhvillim dhe integrim. Por alternativa e vetme e atij integrimi është ai në Bashkimin Evropian dhe vetëm përmes standarteve e praktikave evropiane”, ka thënë ai.

Sipas tij, dështakët dhe minuesit e procesit të integrimit evropian nuk munden të infiltrojnë agjenda të tjera, duke i mbuluar me fasada fake si kjo e ashtuquajtura “shengeni ballkanik”.

Nishani thotë se shqetësimi më i madh në të gjithë këtë histori për ne shqiptarët ka të bëjë me faktin se rilindsit po e kthejnë Shqipërinë në një mballomë mbi fasadën e gënjeshtërt të Serbisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme