Nishani uron Trump për Ditën e Pavarësisë së ShBA-së

Prishtinë | 04 Kor 2017 | 10:19 | Nga

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani i ka dërguar një mesazh urimi presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump me rastin e festës së 4 Korrikut.

Në mesazhin e tij, Nishani vlerëson marrëdhëniet “e shkëlqyera” mes dy vendeve dhe shpreh bindjen për avancimin e tyre në të mirë të dy popujve.

“Përfitoj nga rasti që të shpreh mirënjohjen e thellë për mbështetjen dhe ndihmën e pakursyer e shumëdimensionale që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë shqiptarëve, për më shumë se një shekull, si në krijimin dhe konsolidimin e shtetit të pavarur shqiptar, ashtu edhe në konsolidimin e demokracisë dhe të shtetit ligjor”, thotë Nishani, shkruan Top Channel.

Mesazhi i plotë i presidentit Nishani:

“I nderuar Zoti President,

Kremtimi i 241-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më jep kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, të përcjell urimet më të ngrohta e të përzemërta për Ju dhe popullin mik amerikan.

Në këtë ditë të shënuar për vendin Tuaj, konstatoj me shumë kënaqësi se marrëdhëniet e shkëlqyera e të partneritetit strategjik mes dy vendeve tona janë forcuar e zgjeruar ndjeshëm e në mënyrë konstante. Në themel të këtyre marrëdhënieve qëndron miqësia e fortë mes dy vendeve tona, si dhe roli e kontributi i komunitetit shqiptaro-amerikan, që i ka dhënë një përmbajtje shumë të veçantë këtyre marrëdhënieve.

Përfitoj nga rasti që të shpreh mirënjohjen e thellë për mbështetjen dhe ndihmën e pakursyer e shumëdimensionale që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë shqiptarëve, për më shumë se një shekull, si në krijimin dhe konsolidimin e shtetit të pavarur shqiptar, ashtu edhe në konsolidimin e demokracisë dhe të shtetit ligjor. Ju siguroj se, Shqipëria do të jetë një partner besnik dhe aktiv krah Shteteve të Bashkuara, në të gjitha nismat e saj në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe ruajtjes së paqes në botë.

Me urimet më të mira për shëndetin dhe lumturinë Tuaj, si dhe zhvillimin e përparimin e mëtejshëm të Shteteve të Bashkuara dhe të popullit amerikan, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!”.

Të ngjashme