Nata e parë e Festivalit folkorik “I këndojmë lirisë”, që në Klinë mbahet për herën e 18-të, ka nisur me paraqitjen në skenë të shoqërive, ansambleve artistike, grupeve e rapsodëve nga troje etnike shqiptare.
Interesimi i spektatorëve për të qenë prezentë në hapjen e festivalit ishte i madh. Hapësirës ku simbolikisht ishte vendosur “Porta Triumfale” ia mësynë shumë qytetarë të Klinës e rrethinës, por edhe nga vise të tjera të Kosovës, Shqipërisë e diaspora si dhe personalitete të shquara të jetës politike, shoqërore e kulturore. Të pranishmit i përshëndeti kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj. U shpreh i privilegjuar si kryetar i Komunës në vendlindjen e Heroit të Kombit Mujë Krasniqi, ta hap edicionin XVIII të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar me karakter tradicional “I këndojmë lirisë” – Klinë 2018, për të vazhduar për tri net në Klinën e rilindur. “Që nga mbërritja e frymës së lirisë në Kosovë, përmes këtij festivali na janë krijuar mundësitë që të takohemi çdo vit në Klinë, t’i shkëmbejmë vlerat, traditat dhe kulturën, të ndihemi një pjesë e vetme e kombi, tha Elezi.
Festivali tradicional “I këndojmë lirisë” që mbahet që nga mbërritja e frymës së lirisë, i kushtohet simbiozës së fuqishme dhe të përjetshme: lirisë dhe Heroit Mujë Krasniqi. Pushka e këtij luftëtari të paepur të lirisë dhe liria që gëzojmë ne sot u bënë dhe mbesin të pandara. Prandaj, kënga kushtuar heroizmit dhe lirisë gjithmonë do të kenë jehonë të madhe këtu dhe kudo tjetër në hapësirat tona shqiptare.
Këtë vit, si shprehje e kujtesës për heroin Mujë Krasniqi, është lartësuar Kulla e këtij kolosi të kombit me të njëjtin emërtim, Kulla e Mujë Krasniqit, që monumentalizon rezistencën kombëtare, sakrificën dhe etjen për lirinë e Kosovës.
Festivalin e hapi SHKA “Sharri” nga Hani i Elezit me një potpuri këngësh e vallesh, për të vazhduar me këngën ‘Diell e hënë shndrit në këtë dhe’ për të vazhduar me SHKA “Selman Kadria” nga Istogu me disa këngë e valle. SHKA “Dedë Gjon Lui” nga Tuzi kishte ardhur në festival me këngët dhe vallet e trevës së tyre si dhe SHKA “Tingujt e vendlindjes” nga Stagova e po ashtu edhe Grupi polifonik nga Gjirokastra e rapsodët Kryeziu. Një paraqitje me këngë patën edhe “Shotë Galica”e Drenasit dhe SHKA “Dervish Shaqa” nga Deçani.
Moderatorë të festivalit folklorik “I këndojmë lirisë” janë Shqipe Desku dhe Faik Gashi.
Festivali vazhdon sonte në natën e dytë konkurruese.