Prokurorët në Mal të Zi kanë thënë se kanë nisur hetime preliminare rreth pretendimeve për zbulimin e informacioneve të klasifikuara nga shefi i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Dejan Vuksiq.
“Rasti është në fazën preliminare”, tha zëdhënësja e Zyrës së Prokurorit të Lartë Shtetëror në Podgoricë, Lepa Medenica.
Kryetari i Partisë Socialdemokrate në opozitë dhe anëtari i Komisionit Parlamentar për Siguri dhe Mbrojtje, Rasko Konjeviq, javën e kaluar pretendoi se Vuksiqi e ka shkelur ligjin për të dhënat sekrete dhe ka bërë kompromis me informata të klasifikuara të një vendi aleat të NATO-s duke ndarë të dhëna sekrete me anëtarët tjerë të komisionit më 19 mars.
Sipas zëvendëskryeministrit të ngarkuar me çështjet e sigurisë, Dritan Abazoviq, Vuksiqi “bëri një gabim” duke zbuluar të dhëna sekrete, shkruan Free Europe.
Megjithatë, kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiq, e mbrojti shefin e shërbimit sekret të dielën, duke thënë se gjatë takimit të Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje ai ka zbuluar të dhëna nga një dokument i brendshëm e jo nga një vend anëtar i NATO-s.
Sipas disa raporteve, informacionet e klasifikuara në këtë rast kanë të bëjnë me operativët e CIA-s.
Vuksiqi u zgjodh shef i shërbimit sekret në dhjetor të vitit të kaluar, ndonëse emërimi i tij u kundërshtua fuqishëm nga opozita malazeze, e cila tha se zyrtarët e shërbimit sekret nuk duhet të jenë anëtarë të ndonjë partie politike apo të kenë kryer aktivitete politike.