Zyra e Prokurorisë Publike kundër Korrupsionit (WKStA) ka nisur hetime kundër ish-drejtuesit të Partisë së Lirisë (FP) Heinz-Christian Strache, i cili ka mbajtur edhe postin e zëvendëskancelarit.
Sipas revistës “Profil”, arsyeja për hetimin është dyshimi për përvetësim.
Hetimet janë iniciuar kundër ish-anëtarit të FP-së Johann Gudenus si dhe kundër personave të tjerë të dyshuar për shkelje të besimit “në forma të ndryshme të pjesëmarrjes”.
Johhan Pauer, avokati i Straches tha se nuk ishte në gjendje të komentonte mbi procedurat në vazhdim.
Strache u filmua duke folur me mbesën e një oligarku rus rreth asaj se si t’i kanalizonte donacionet e fshehta partisë FP. Gruaja, që paraqet si një mbesë e oligarkut, ofroi të blinte 50% të gazetës austriake ”Kronen Zeitung” dhe ta përdorte atë për të mbështetur FP, transmeton atsh.
Videoja u botua më 18 maj dhe e detyroi Strache dhe Gudenus të largoheshin nga detyra. Konservatorët e Partisë Popullore (VP) kanë kërkuar që edhe ministri i Brendshëm, Herbert Kickl (FP) gjithashtu të japë dorëheqjen dhe pjesa tjetër e ministrave të FP të largohej bashkë me të.
Menjëherë pas kësaj, kancelari Kurz njoftoi se koalicioni u shpërbë dhe kërkoi zgjedhje të parakohshme në shtator.
Ende nuk është e qartë se kush e ka organizuar takimin, i cili ndodhi në një vilë në Ibiza, pak para zgjedhjeve kombëtare austriake të vitit 2017.