Nisin hetimet për varrimin në Pejë ku dyshohet se u infektuan 36 persona me COVID-19

Prishtinë | 24 Pri 2020 | 16:06 | Nga Ekonomia Online

Një ceremoni mortore e zhvilluar më 6 prill në Pejë, ka ndikuar që të përhapet koronavirusi në këtë komunë. Deri tani, 36 persona që kanë marrë pjesë në varrim e në të pame kanë dalë pozitivë për COVID-19. Për këtë rast, Prokuroria Themelore e Pejës tashmë ka nisur hetimet.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.

Prokuroria e Pejës në koordinim me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarr veprime hetimore”, ka thënë Nikçi.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike mbrëmë ka njoftuar se si pasojë e pjesëmarrjes në këtë ceremoni, deri tani janë infektuar 36 persona.

“Numri i madh i rasteve të konfirmuara sot në Pejë janë si pasojë e pjesëmarrjes në një ceremonial mortor më 6 prill 2020, përkundër masave të ndalimit të grumbullimit në masë të qytetarëve. Si pasojë e këtij veprimi deri më tani janë diagnostikuar 36 raste pozitive me COVID-19”, ka njoftuar mbrëmë IKSHP-ja.

Detaje rreth këtyre rasteve dhe gjendjes së të infektuarve në Pejë ka dhënë Drejtori për Shëndetësi, Petrit Loci.

Loci ka thënë se janë duke punuar që t’i gjejnë të gjithë personat që kanë marrë pjesë në të pame dhe në varrim. Por, problem, sipas tij, mbetet mosbashkëpunimi i familjarëve.

‘Që të gjithë janë raste kontakti, shkaku që kanë marrë pjesë në një ceremoni mortore më 6 prill. Kurgjë nuk është problem numri i atyre që kanë marrë pjesë në varrim, sa i atyre që kanë marrë pjesë në të pame. Jemi tu u mundu me i gjet të gjithë ata që kanë qenë, por edhe pak problem se familjarët s’po tregojnë”, ka deklaruar ai.

Ai ka treguar se në mesin e të infektuarve është edhe një 2-vjeçar. Gjendja e të infektuarve thotë se është stabile, derisa ka treguar se edhe sot do të ketë testime në këtë komunë.

“Mosha më e re e prekur është një 2-vjeçar, derisa personi më i vjetër i prekur është rreth 80-vjeçar. Gjendja e të infektuarve është stabile. Prej 47 rasteve pozitive, një ka vdekur, tre janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive të QKUK-së, derisa tjerët janë duke u trajtuar në vetizolim. Gjendja e tyre është stabile dhe pa simptoma”, ka thënë Loci .

I pari i Shëndetësisë ka bërë me dije se edhe sot do të vazhdojnë testimet në komunë, por se ende nuk dihet numri i saktë i atyre që do të testohen, meqenëse janë duke e krijuar listën.

Ndryshe, mbrëmë janë konfirmuar 39 raste të reja me COVID-19 në Kosovë. Me këtë shifër, numri i të gjithë të infektuarve shkon në 669 raste. Deri tani janë shëruar 159 të infektuar, derisa 19 të tjerë e kanë humbur betejën me koronavirusin.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, javën e kaluar në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill

Të ngjashme