Janë mbushur sot 26 vjet nga Masakra më e tmerrshme mbi popullatën civile në Reçak nga forcat serbe. Qytetarë të shumtë që në orët e para të mëngjesit kanë arritur në Memorialin ku prehën 45 shqiptarë të paarmatosur që u vranë e u masakruan barbarisht, më 15 janar 1999, në fshatin Reçak, raporton Ekonomia Online.
As të ftohtit e këtij mëngjesi dimri nuk ka ndikuar te kosovarët që të hezitojnë të vijnë me kurora lulesh në duar për të nderuar, ata, që siç shprehën qytetarët “qëndrojnë themelet e shtetit tonë”.
Natyrisht se aty pranë varreve ndodhën dhe familjarët e tyre, të cilët janë të parët që kanë arritur te Memoriali duke përkujtuar ditën më të rëndë për ta e më tragjiken e historike të Kosovës, që tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën.