Blerim Isufaj vetëm edhe një javë do të jetë në krye të institucionit më të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë. Deri në datën 15 kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Blerim Isufaj, ka mandat që të udhëheqë me këtë institucion. Me datën 16 Isufaj do të paraqitet në punë në Prokurorinë Speciale në cilësinë e prokurorit.
Konkursi për kryesuesin e ri të KPK-së tashmë është hapur. Pritet që javën e ardhshme të votohet për të. Kandidati kryesor për marrjen e këtij posti të rëndësishëm shihet anëtari i deritashëm i Këshillit, prokurori Bahri Hyseni, i cili tashmë i është futur garës, shkruan Koha Ditore.
Pas disa javësh pritet që të hapet konkursi edhe për Kryeprokuror në Prokurorinë Speciale. Kryeprokurori aktual, Reshat Millaku, do të pensionohet. Isufaj shihet si kandidati kryesor që do të udhëheqë me këtë institucion. Ai vetë nuk e mohon mundësinë që një gjë e tillë mund të ndodhë, edhe pse konkursi ende nuk është hapur.
Por para se zyrtarisht të përcaktohen dy nga katër pozitat më të rëndësishme në sistemin prokurorial, burime të ndryshme i kanë thënë gazetës se Isufaj si anëtar i KPK-së pritet që ta përkrahë Hysenin me votë për të ardhur në krye të KPK-së, ndërsa javë më vonë Hyseni ta votojë Isufajn për kryeprokuror të Prokurorisë Speciale.