Telashet e para me tifozët që kanë mbërritur në Shqipëri për finalen e Ligës së Konferencës kanë filluar dhe ashtu siç ndoshta parashikohej, problemet kanë nisur me tifozët e Feyenoord.
Këta të fundit kanë pushtuar që prej ditës së djeshme lokalet në rrugën “Mustafa Matohiti” në kryeqytet, e ashtuquajtura ”Rruga e Salës” për faktin se atje banon ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha. Tifozët holandeze që në orët e paradites janë mbledhur të shumtë duke ia shtruar me birra pa fund e duke kënduar koret e tyre për ekipin.
Por duket se banorët në pallatin e ish-kryeministrit nuk e kanë pritur mirë zhurmën deri në orët e vona. “Panorama Sport” mëson se nga ballkonet i janë hedhur ujë dhe sende të tjera për t’i bindur që të largohen por pa shumë sukses, siç shihet në videon e mëposhtme.
Në vendngjarje ka shkuar edhe policia, e cila ka kontrolluar grupimin e tifozëve për të evituar probleme të mundshme me banorët.